Ngjarjet e fundit të aktualitetit politik të vendit tonë janë përfolur edhe në mediat e huaja. Sot gazeta e njohur italiane “Il Giornale” ka shkruar një artikull rreth prishjes së Teatrit Kombëtar.
Sipas gazetarit që botoi këtë shkrim, Marco Valle, prishja e Teatrit do të ketë ndikim të madh në negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Pjesë nga artikulli në “Il Giornale”
“Agimin e 17 majit, ora 04.35, fadromat e Bashkisë së Tiranës, të mbrojtur nga më shumë se 1 mijë policë, rrënuan përgjithmonë në kohë rekord Teatrin Kombëtar, symbol i një proteste 27 mujore.
Zemra e kryeqytetit shqiptar, atë mëngjes u mbush nga një turmë e madhe njerëzish që kundërshtonin ndalimin e autoriteteve dhe rregulloret anti-Covid. Policia dhunoi vazhdimisht protestuesit dhe arrestoi 64 persona.
Rasti i kompleksit Teatror është emblematik. Ndërtesa, e projektuar nga arkitekti Giulio Berte e ndërtuar në Milano në 1938 dhe e mbledhur disa muaj më vonë në Tiranë nuk ishte vetëm një nga shembujt e parë të parafabrikatave në histori dhe një nga veprat më interesante të arkitekturës racionaliste në Evropë, por, mbi të gjitha, përbënte një pjesë e rëndësishme e panoramës monumentale të kryeqytetit shqiptar.
Duke pasur parasysh vjetërsinë e materialeve origjinale, mirëmbajtjen e dobët në periudhën Enveriste dhe rregullat e reja të sigurisë, të gjithë (ose pothuajse) kërkonin një ristrukturim rrënjësor në përputhje me projektin e Berte-s. Këto ishin vetëm iluzione.
Dy vite më parë me justifikimin e festimeve në vitin 2020 të 100-vjetorit të kryeqytetit të Tiranës, Rama dhe ‘delfini i tij’ Erion Veliaj, kryetar bashkie vendosën të ndryshojnë qendrën historike dhe plani filloi pikërisht nga prishja e ‘Teatrit Kombëtar’.
U vendos të ngrihet një strukturë masive betoni prej kullash të projektuar nga studiot daneze Big dhe nënshkruar nga arkitekti Bjarke Ingels, ku do të ketë presë qendra tregtare, apartamente, etj., dhe një hapësirë të destinuar për aktivitete teatrale.
Kundër shkatërrimit ishte gjithashtu edhe Confindustria Albania, partneriteti që përfaqësojnë ndërmarrjet italiane në vend. Presidenti i saj Sergio Fontana komentoi me hidhërim: ‘Është njësoj sikur në vend që të ndërtosh një teatër më të mirë dhe të rehatshëm, të vendosësh të shkatërrosh Arenën e Veronës apo Koloseu. Një teatër i ri mund të ndërtohej në një zonë tjetër pa prishur një shembull të jashtëzakonshëm të arkitekturës italiane’.
/shqip
