Nesër përfundon gjendja e fatkeqësisë natyrore, e cila u shpall në 24 Mars të këtij viti. Në ndryshim nga sa u tha fillimisht, burime bëjnë me dije se qeveria nuk pritet që te shtyjë gjendjen e fatkeqësisë natyrore.
Gjendja e fatkeqësisë natyrore u mor me vendimin e Këshillit të Ministrave dhe pati një shtyrje të saj me 91 vota të deputetëve në Kuvend.
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit, ndërsa zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit.
Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë ka një ulje të ndjeshme të numrit të rasteve të reja, 33 të tilla, nga 72 që u regjistruan gjatë ditës së djeshme. Në të gjithë vendin derimë tani kanë qenë të ndaluara grumbullimet e çfarëdolloj, me qëllim parandalimin e mëtejshëm të shpërndarjes së Covid 19.
