Skip to content

Situata ekonomike pas COVID, Basha prezanton prioritetet e PD-së për ekonominë

Kreu demokrat, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, ku ka prezantuar katër prioritete e tij sa i përket ekonomisë.

Fuqizimi i biznesit të vogël, hapja e bizneseve të reja kryesisht nga të rinjtë dhe punësimi i tyre, mbështetja e bujqësisë janë katër çështjet kryesore për të cilat Basha shprehet se do të jenë në fokusin e tij kur të bëhet kryeministër, të cilat vijnë si rezultat i dëmeve që u janë shkaktuar bizneseve në COVID-i.

“Për shkak të situatës ekonomike që po kalon vendi dhe rritjes së vazhdueshme të taksave, është bërë tejet i vështirë suksesi i bizneseve të konsoliduara, ndërsa për hapjen e bizneseve të reja është thuajse e pamundur.

Lufta për mbijetesë ka bërë që shumë biznese të mbyllin vende pune, ku më të prekurit janë të rinjtë.

Në këtë kuadër, krijimi i mundësive për të hapur një biznes, fuqizimi i bizneseve të vogla, rritja e mundësive për punësim është një nga synimet kryesore të Partisë Demokratike.

Në planin tonë, ne planifikojmë garanci shtetërore ndaj institucioneve të mikrokreditit për të ndihmuar ato në kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të drejtuara kryesisht nga të rinjtë, ndërsa me prioritet do të konsiderohet dhe mbështetja për bujqësinë.

Programi ekonomik i Partisë Demokratike ka në fokus të tij uljen e barrës fiskale sidomos për bizneset e vogla, mbështetjen me subvencione ndaj fermerit me të paktën 100 milionë euro në vit, eliminimin e procedurave të tepërta burokratike dhe krijimin e kushteve për konkurrencën e lirë e të ndershme nëpërmjet një procesi dialogu me të gjithë aktorët kryesorë të tregut financiar”, deklaroi Basha.

/shqip