Dy vendime të hartuar nga ministria e Brendshme parashikon lehtësimin e njohjes së pakicave kombëtare, duke i mundësuar ushtrimin e gjuhës, hapjen e shkollave në gjuhën e tyre, si dhe lehtësira të tjera.
Dy VKM-të që janë pjesë e konsultimeve të siguruara nga Gazeta “Shqip”, janë “Për mënyrën e përdorimit të gjuhës së pakicave kombëtare në marrëdhëniet ndërmjet personave që i përkasin pakicave kombëtare dhe organeve të vetëqeverisjes vendore”, dhe “Për përcaktimin e përbërjes, funksioneve dhe procedurës së komisionit për shqyrtimin e kërkesës për njohjen e një pakice kombëtare”.
Nisma i synojnë decentralizimin, pasi përcakton se të drejtën për të vendosur tabelat në gjuhën e minoriteteve nuk i ka më qeveria qendrore, por këshilli bashkiak përkatës.
Vendimi i parë
Në draftin e paraqitur për diskutim përpara se ai të bëhet ligj, theksohet se nëse në një territor vendor, pra bashki, jetojnë një pakicë kombëtare që përbën të paktën 20% të popullsisë, atëherë këshilli bashkiak vendos tabelat dhe emërtimin në gjuhën e pakicës kombëtare.
“Gjuha e pakicës kombëtare do të përdoret në marrëdhëniet mes shtetasve që i përkasin pakicës dhe njësisë së vetëqeverisjes vendore, në të cilat personat që i përkasin një pakice kombëtare banojnë tradicionalisht ose përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë brenda territorit të saj, bazuar në kërkesën me shkrim të tyre”, thuhet në relacionin e siguruar nga Gazeta “Shqip”.
Kërkesa, sipas draftit për të nisur shqyrtimi bëhet nga një grup njerëzish që përbëjnë 1% të popullsisë së pakicës kombëtare.
Drafti në një farë mënyre i jep një mundësi apo autonomi më shumë bashkive që u krijuan si njësi territorial “minoritare: në ligjin e ndarjes së territorit në 2014-n.
Kështu për shembull bashkia Dropull, apo bashkia Finiq, ku shumica e banorëve i përkasin minoritetit grek do ta kenë në dorë për të shkruar emërtimet në gjuhën amtare. Dhe sipas gjasave, këto territore do të kthehen në një farë “Asocacioni të pushtetit grek”, por ka shumë gjasa që problem më i madh do të haset me zonën e Himarës.
Ligjërisht atje nuk ka një minoritet grek, por mjaft banorë të bashkisë së Himarës zotërojnë dokumente greke dhe kjo pjesë do të kërkojë interpretim.
Por ligjërisht, nëse 20% e bashkisë së Himarës, kanë dokumente si shtetas apo nënshtetas grek, bashkia e Himarës mund të kërkojë një mbledhje të këshillit për të vendosur tabelat në gjuhen greke.
Sipas ligjit për Pakicat Kombëtare, të drejtën për ta përcaktuar këtë term e ka një komision ad-hoc i Ministrisë së Brendshme.
Në ligj njihet e drejta e vetëdeklarimit. Ja ҫ’thuhet në nenin 6 të ligjit për pakicat: “Çdo person ka të drejtë të deklarojë përkatësinë në një pakicë kombëtare, bazuar në të drejtën e vetidentifikimit, sipas parashikimeve të legjislacionit për regjistrimin e përgjithshëm
të popullsisë së Republikës së Shqipërisë dhe në rastet e parashikuara në këtë ligj. Askush nuk mund të detyrohet të zbulojë ose të bëjë publike të dhëna në lidhje me
përkatësinë e tij/e saj në një pakicë kombëtare dhe as përkatësinë e tij/e saj etnike, gjuhësore
ose fetare, me përjashtim të rasteve kur ky zbulim të dhënash është i nevojshëm për ushtrimin
e të drejtave”.
E sipas këtij ligji, ҫështja e interpretimit nuk është e përcaktuar qartë, ndaj ka shumë gjasa që si gjithnjë, në Himarë të nisin polemikat. Por duket se ky draft i ri për minoritetet është bërë për të kënaqur qeverinë greke të qendrës së djathtë të Micotakisit, të cilin Edi Rama e takoi para dy javësh në Dephi dhe tha se do të rinisin negociatat për marrëveshjen e ujërave. Greqia ndërkohë respektimin e të drejtave të minoritetit e ka edhe si kushtet për negociatat e Shqipërisë në BE.
Njohja e Pakicave me 300 firma
Ndërsa vendimin tjetër që pritet të miratohet nga qeveria “Përcaktimin e përbërjes, funksioneve dhe procedurës së komisionit për shqyrtimin e kërkesës për njohjen e një pakice kombëtare”. Sipas këtij drafti, Kërkesa për njohjen e pakicave, depozitohet pranë Komisionit për shqyrtimin e kërkesës për njohjen formale të pakicës kombëtare, nga një grup shtetasish prej jo më pak se 300 (treqind) persona me zotësi të plotë për të vepruar, që pretendojnë se i përkasin pakicës kombëtare. Komisioni drejtohet nga zv.ministri i Brendshëm dhe anëtarë janë disa përfaqësues të ministrive dhe të institucioneve si Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave; përfaqësues i Akademisë së Shkencave; përfaqësues i Akademisë së Studimeve Albanologjike; përfaqësues i Institutit të Historisë dhe përfaqësues i Komitetit Shtetëror të Pakicave Kombëtare.
Komisioni duhet të shqyrtojë brenda 30 ditë kërkesat e paraqitura. Në Shqipëri si pasojë e ligjit “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”, shteti shqiptar njohur 9 pakica kombëtare. Pra zyrtarisht në Shqipëri njihen me ligj nëntë pakica kombëtare, konkretisht greke, maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare.
Avokati i Popullit ka kundërshtuar numrin e atyre që janë sanksionuar për të bërë kërkesën që është vendosur 300. Por kundërshtimi nuk është marrë në konsideratë. “Në lidhje me sugjerimin e dytë evidentojmë se parashikimi i një grupi shtetasish prej 300 personash është bazuar duke pasur si referenca numrin e krijimit të organizatave kulturore, sociale, politike, por ky fakt është vendosur gjithashtu në mbledhjen e Grupit Ndërinstitucional të Punës ku anëtarë ka qenë edhe Avokati i Popullit dhe janë dakordësuar për sanksionimin e numrit prej 300 personash” thuhet në relacion.
/shqip
