Java e parë e korrikut është afati për kthimin sërish në burg të atyre që përfituan liridaljen nga qelia për shkak të pandemisë. Frika e shpërthimit komunitar të koronavirusit bëri që Ministria e Drejtësisë të përgjigjej me një skenar të ngjashëm me shumë vende të tjera të Evropës. Ndaj u hartua një listë për leje të detyruar tre mujore për afro 600 të burgosur.
Por, në fakt pasi u vërtetuan të gjithë elementët që kishin të bënin me sigurinë e kthimit sërish në qeli, apo largimin e rrezikut se mund të konsumonin ndonjë tjetër vepër penale lista përfundimtare pati vetëm 476 të dënuar.
Por, as kjo shifër nuk përfundoi e gjithë në shtëpi për tre arsye. E para, sepse ishin të paqartë nëse kjo kohë do u quhej apo jo kohë e kryerjes së dënimit, e dyta nuk pranoheshin nga familja dhe e treta frika për jetën, sepse shumë kanë hasmëri të vjetra.
Edhe pse Akti Normativ për këtë çështje kishte parashikuar lirimin e përkohshëm të të dënuarve me rrezikshmëri të ulët, pati nga ata që nuk dëshironin kthimin në shtëpi.
Sipas Aktit Normativ të gjithë ata të dënuar me vendim të formës së prerë dhe që u kishin mbetur edhe 3 vite burgim dhe të gjithë ata që u kishin mbetur më pak se 5 vjet burgim por mbi 60 vjeç u konsideruan si pjesë e personave që do karantinoheshin në shtëpitë e tyre.
Gjithsesi, akti normativ i miratuar nga qeveria më 23 mars 2020 në pikën 9-të tij parashikonte dhe penalitetin për të gjithë ata që shkelnin këtë rregull. Sipas nenit në fjalë thuhet “detyrimi për t’u kthyer në përfundim të periudhës së qëndrimit të përkohshëm dhe moskthimi në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale rëndonte pozitën e tyre juridike.
Ndërkohë Kodi Penal në këtë nen parashikon se kjo është vepër penale e largimit të të burgosurit nga vendi i qëndrimit dhe masa e dënimit është deri në 5 vite.
Por si do të rikthehen ata në burgje? Sipas Aktit Normativ, të gjithë të burgosurit kur të përfundojnë lejen e posaçme 90 ditore, që praktikisht u mbaron në javën e parë të korrikut para se të futem në burgje do t’i nënshtrohen testit të COVID-19 për të mos rrezikuar ata që kanë mbetur në qeli edhe para kësaj periudhe.
/shqip
