Nesër i mbaron afati i qëndrimit në detyrë Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, afat i cili është shtyrë disa herë. Ndërkaq, pritet që Këshilli Politik, katërshja: Gjiknuri, Hajdari, Vasili e Bylykbashi që të ‘firmosin ceremonialisht’ draftin e marrëveshjes për reformën zgjedhore.
Pas kësaj ‘ceremonie’, drafti futet direkt në procedura parlamentare dhe këtu qëndron edhe rreziku i hedhjes në erë të tij, pikërisht pasi mazhoranca nuk i ka 84 vota për ta miratuar.
Sipas burimeve të gazeta “Shqip” nisma do të futet në procedura parlamentare, duke nënkuptuar se mund të ndiqet një skenar që të votohet më pas direkt në Parlament.
Opozita Parlamentare ka paraqitur një draft që kërkon ta fusë në këtë reformë, që në fakt prek thelbin e marrëveshjes PS-PD-LSI. Që konsiston në vendosjen e listave të hapura dhe heqjen e koalicioneve. PS nga ana e saj nuk ka problem për listat e hapura por edhe i pëlqen heqja e koalicioneve.
Por nëse PS vendos në draftin e reformës edhe amendamentet e Myslim Murrizit, mund të ndodhë që Lulzim Basha mund ta konsiderojë këtë si hedhje në erë e marrëveshjes dhe gjithҫka do të kthehet nga fillimi.
Nga ana tjetër, mungesa e votave, e bën të domosdoshëm një marrëveshje me opozitën e re, e cila edhe mund të tërhiqet nga pjesë të veçanta të draftit të saj, por që të ndodhë kjo do të duhet që edhe opozita e Bashës të debatojë për pjesën e draftit të deputetëve të listave të saj.
Megjithatë kohë nuk ka, pasi do të duhet që gjithҫka të mbyllet shpejt. Firma në marrëveshjen zgjedhore nga katërshja e Këshillit Politik, e bën shkresën me kokë edhe më fund, ku nuk mund të ndërhyhet brenda saj.
Ky akt është një lloj presioni ndaj opozitës së re, e cila ka gjasa që të luajë lojën e jetës pikërisht në këto ditë. Mazhoranca gjithsesi është mes dy zjarresh; atë të opozitës së Bashës, për të cilën bëri gjithҫka ta fusë në zgjedhje, duke i lënë madje të shkruajë të gjithë Kodin, e nga ana tjetër një rrëzim në Kuvend për mungesë votash do të ishte edhe më e tmerrshme.
Sakaq 30 qershori do të zbulojë edhe enigmën për nismën e opozitës parlamentare për ndryshimin e Kushtetutës. Këshilli për Legjislacionin pritet të marrë një vendim. Ruçi ka mbajtur me shpresë firmëtarët opozitarë me synimin që të kenë edhe 6 votat pro ndryshimit të Kodit Zgjedhor.
/shqip
