Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka firmosur marrëveshje me 24 shtete, të cilat japin informacione të karakterit tejet sekret për shtetas shqiptarë apo të huaj, por edhe anasjelltas.
Që prej vitit 1990, në Shqipëri kanë hyrë dhe kanë dalë shumë persona shqiptarë dhe të huaj, për të cilët nuk ka pasur shumë informacion për aktivitetin e tyre të mëparshëm.
Kjo ka shërbyer si indicie që fillimisht të ngrihej një zyrë në Ministrinë e Brendshme për informacione që cenonin sigurinë kombëtare, e që më pas nisur nga përvoja e vendeve të zhvilluara u kthye në një drejtori, me varësi direkt të Kryeministrit.
Në vitin 2009, Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO. Si pjesë e këtij Traktati dhe si shtet anëtar i NATO, Shqipëria përmbushi synimin strategjik dhe objektivin parësor të politikës së jashtme duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave kombëtare.
Anëtarësimi në NATO ka krijuar mundësinë që nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në vendimmarrjen e Aleancës, të jepet kontribut në përpunimin e çështjeve që lidhen me sigurinë euroatlantike, për rrjedhojë edhe me sigurinë kombëtare.
Në vitin 2016, kjo drejtori u bë pjesë e një procesi shumë të rëndësishëm, ku në bashkëpunim me institucionet e rivlerësimit është autoritet përgjegjës për kontrollin e figurës së gjyqtarëve e prokurorëve.
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka si mision të saj hartimin e politikave, programeve e procedurave për sigurimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, mbikëqyrjen e institucioneve dhe operatorëve ekonomikë të interesuar, ndjekjen e procedurave, edukimin dhe sigurimin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar në të gjitha disiplinat e tij.
Bën certifikimin e personelit i cili administron informacionin e klasifikuar dhe merr informacion të plotë për të gjithë zyrtarët shqiptarë dhe jo vetëm që ikin me detyra të ndryshme jashtë vendit.
Autoriteti i Sigurimit Kombëtar përgatit, negocion dhe nënshkruan, marrëveshjet për mbrojtjen e përbashkët të informacionit të klasifikuar ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverive të vendeve të tjera.
Republika e Shqipërisë ka lidhur marrëveshje në fushën e sigurisë së informacionit me NATO, Ukrainën, Estoninë, Poloninë, Greqinë, Maqedoninë, Gjermaninë, Bullgarinë, Kroacinë, Sllovakinë, Letoninë, Çekinë, Slloveninë, Francën, Kosovën, Malin e Zi e të tjera. Këto janë marrëveshje të ratifikuara nga Kuvendi i Shqipërisë, si dhe janë në proces ratifikimi edhe marrëveshje me shtete të tjera.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje me 24 shtete, si dhe Bashkimin Evropian dhe NATO ka të bëjë me garantimin e mbrojtjes së informacionit të klasifikuar dhe vendosjn e procedurave dhe rregullave të përbashkëta, për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar të shkëmbyer ndërmjet Palëve dhe ndërmjet subjekteve publike dhe private të Palëve, në lidhje me çështjet ndërkombëtare, sigurinë kombëtare, mbrojtjen, sferën industriale dhe çdo sferë tjetër aktivitetesh.
Madje, sipas këtyre marrëveshjeve janë përcaktuar edhe nivelet e klasifikimit të sigurisë. Shqipëria dhe shtetet që kanë firmosur me të kanë rënë dakord që nivelet e sigurisë të jenë të barasvlefshme dhe në përputhje me nivelet e klasifikimit të sigurisë të përcaktuara në legjislacionin e brendshëm të shteteve respektive. Ato ndahen në kategorinë “tepër sekret”, “sekret”, “konfidencial” dhe “i kufizuar”.
Psh, nëse pala shqiptare kërkon nga Italia, Gjermania, apo shtetet që kanë firmosur marrëveshje informacion për gjyqtarë, prokurorë, diplomatë apo edhe shtetas të tjerë, mënyra e informacionit që mbërrin në vendin tonë shoqërohet me kategorizimin, pra llojin e informacionit, sipas nivelit të lartpërmendur.
Sipas marrëveshjeve, çdo palë njeh reciprokisht certifikatat e sigurisë së personelit dhe certifikatat e sigurisë industriale, të lëshuara në pajtim me legjislacionet e brendshme.
Në pajtim me legjislacionin e tyre të brendshëm, palët zbatojnë të gjitha masat e duhura për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar që gjenerohet ose shkëmbehet zakonisht sipas kësaj Marrëveshjeje. I njëjti nivel mbrojtjeje sigurohet për këtë informacion të klasifikuar, siç parashikohet për informacionin e klasifikuar të brendshëm, me nivelin përkatës të klasifikimit të sigurisë.
Por më e rëndësishmja lidhet me transmetimin e informacionit të klasifikuar në kategorinë “sekret”. Ky lloj informacioni mundësohet vetëm nëpërmjet kanaleve diplomatike ose me shërbime korrieri ushtarak apo tjetër, të miratuar nga autoritetet kompetente të sigurisë.
Nëse duhet të transmetohet një paketë e madhe që përmban informacion të klasifikuar, autoritetet përkatëse kompetente të sigurisë bien bashkërisht dakord dhe miratojnë me shkrim mjetet e transportit, itinerarin dhe masat e sigurisë për çdo rast të tillë.
Mjetet e tjera të miratuara të transmetimit ose të shkëmbimit të informacionit të klasifikuar, duke përfshirë mjetet elektromagnetike, mund të përdoren nëse bihet dakord nga autoritetet kompetente të sigurisë.
/shqip
