Policia e Durrësit ka gjobitur me një milion lekë gjobë pronarin e një lokali në Sukth, pasi organizoi dasmë në kundërshtim me Aktin Normativ që ndalon grumbullimet në masë për shkak të pandemisë.
Gjithashtu policia njofton se janë proceduar penalisht edhe katër shtetas, të cilët kishin zaptuar sipërfaqet e tokës publike me shezlonge në plazhin e Gjirit të Lalzit.
Deklarata e policisë:
Organizoi dasmë në kundërshtim me Aktin Normativ, ndëshkohet me masë administrative pronari i lokalit.
Gjithashtu kanë vijuar kontrollet edhe në drejtim të evidentimit dhe goditjes së krimeve mjedisore.
Procedohen penalisht 4 shtetas, për zaptim të sipërfaqjes së tokës publike me shezlongë.
Në vijim të kontrolleve në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, shërbimet e Policisë kanë evidentuar në lagjen nr. 6, Vardadhë, Sukth, një lokal që kishte organizuar dasmë në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar distancën e sigurisë midis personave. Për këtë subjekt me pronar shtetasin P. M., shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë, në vijim të kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin e krimeve mjedisore, proceduan penalisht shtetasit:
A.Sh., 42 vjeç dhe E. V., 27 vjeç, banues në Shijak dhe Tiranë, pronar dhe administrator të një subjekti në Gjirin e Lalëzit, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë u konstatua se në një sipërfaqe në plazh publik, kishin vendosur shezlongë, pa lejen e organeve kompetente.
Zh.I., 46 vjeçe, banuese në fshatin Rrotull, Durrës, pronare e një subjekti në Gjirin e Lalëzit, pasi gjatë kontrollit të ushtruar u konstatua se në një sipërfaqe në plazh publik kishte vendosur shezlongë, pa lejen e organeve kompetente.
D.K., 27 vjeç, banues në fshatin Armath, Durrës, administrator i një subjekti në Gjirin e Lalëzit, pasi gjatë kontrollit të ushtruar u konstatua se në një sipërfaqe në plazh publik kishte vendosur shezlongë, pa lejen e organeve kompetente.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme.
()
