Skip to content

Nuk pushojnë email-et, Bylykbashi dhe Vasili i përgjigjen Gjiknurit: Edhe ne s’duam të humbasin kohë…

Vazhdojnë komunikimet me email mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe të opozitës, sa i takon mbledhjes së radhës të Këshillit Politik.

Opozita i ka reaguar për herë të dytë Damian Gjiknurit, teksa mbetet e palëkundur nga kërkesa e saj që mbledhja e KP-së të mbahet nesër, dhe të mos jenë pjesë e diskutimeve ndryshimet Kushtetuese.

Bylykbashi dhe Vasili shprehen se duhet të vazhdohet marrëveshja e 5 Qershorit me pikat që është lënë pezull, dhe në asnjërën prej tyre nuk flitet për ndryshime Kushtetuese.

Reagimi i plotë i opozitës: Edhe ne gjykojmë që Këshilli Politik duhet të vijojë punë pa humbur asnjë ditë kohë, sepse kemi humbur shumë kohë për miratimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së 5 Qershorit. Në këtë kuadër, rikonfirmojmë gatishmërinë tonë për të vijuar punën në Këshillin Politik, të enjten ora 17:00 ose të premten ora 11:00, sipas zgjedhjes tuaj.

Gjithashtu, ju konfirmojmë se bashkërisht kemi rënë dakord në Marrëveshjen e 5 Qershorit, që duhet të vijojmë punën në Këshillin Politik për zbatimin e pikave 11 dhe 12 të saj, ku specifikohet se: “11. Masat shtesë: Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë në mirëbesim dhe të përpiqet të arrijë zgjidhje të përbashkëta ku dhe kur është e mundur të adresohen rekomandimet kryesore të ODIHR lidhur me:

(1) blerjen e votës; (2) presionin ndaj votuesve dhe administratës publike; (3) keqpërdorimin dhe abuzimin me administratën publike; (4) marrëveshjet e fshehta me grupet kriminale; (5) lirinë dhe sekretin e votës; dhe (6) manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore.

Në rast të mosprogresit këto propozime NUK do të ndërhyjnë apo vonojnë një marrëveshje dhe kalimin në parlament të masave të dakordësuara në pikat 1-9.  12. Hyrja në fuqi: Pikat 1, 2, 3, 7, 9, 9, 10 dhe 11 më sipër dhe dy shënimet poshtë do të hyjnë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare dhe vendore). Pikat 4, 5 dhe 6 më sipër do të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme zgjedhore dhe parlamentare.”.

Për këtë arsye, kërkojmë mirëkuptimin tuaj për përfshirjen e këtyre çështjeve në Rendin e Ditës së mbledhjes së rradhës. Mbetemi në pritje të konfirmimin nga ana juaj! Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili

Emaili i nisur më herët nga Gjiknuri: Jemi dakord të takohemi edhe të enjten edhe të premten dhe në çdo kohë që ju e gjykoni të arsyeshme sepse koha është shumë e çmuar në kushtet kur Kuvendi ka një vendimmarrje të rëndësishme në 30 Korrik.

Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për çështjet e mbetura po për një çështje shumë konkrete, prandaj edhe njëherë ju lutem të konfirmoni praninë tuaj për sot në orën 17:00 pasi opozita parlamentare e ka konfirmuar ndërkohë. Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj ju mirëpresim në ora 17:00.

Më parë, opozita jashtëparlamentare e përfaqësuar nga Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili ka kërkuar që takimi i thërritur sot nga Damian Gjiknuri dhe Edi Rama në Këshillin Politik të shtyhet për nesër, ose për ditën e premte. Opozita kërkon që takimi të mbahet nesër dhe me axhendë të ndryshuar mes palëve dhe të mos përfshihen diskutimet mbi ndryshimet Kushtetuese.

Opozita kërkon që takimi të mbahet nesër dhe me axhendë të ndryshuar mes palëve dhe të mos përfshihen diskutimet mbi ndryshimet Kushtetuese. Siç edhe kuptohet nga përgjigja e opozitës, kreu demokrat Lulzim Basha nuk ka pranuar të ulet në takim me Edi Ramën.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb