Skip to content

Yuri Kim nuk është ndjerë fare, Rama sfidon ndërkombëtarët: Për listat vendosim vetë, nuk jemi shërbëtorë të askujt

Kreu i qeverisë Edi Rama është shprehur i qartë dhe i prerë se për hapjen e listave nuk vendosin ndërkombëtarët, por vetë shqiptarët dhe parlamenti do i miratojë në datë 30 korrik.

“Këtë e vendosim ne”, tha Rama, duke iu përgjigjur edhe ndërkombëtarëve, ndërsa theksoi se hapjen e listave e duan shumica e shqiptarëve. Kjo deklaratë e Ramës vjen një ditë pas takimit që ai pati me ambasadoren amerikane Yuri Kim, e cila për hir të së vërtetës nuk ka dhënë asnjë mesazh për ndryshimin e njëanshëm të Kushtetutës, ndërsa ka kërkuar më herët që 5 Qershori të kalojë i pandryshuar.

“PS-ja nuk detyrohet nga askush, vec njerëzve që përfaqëson. Dëgjova që këshillin politik e paska krijuar një aleancë globale SHBA-BE-OSBE, nuk është e vërtetë. E ka krijuar vullneti ynë, i PS-së, që është shumicë. PD-ja që kërkon të qeverisë ende nuk di të flasë shqip. Kjo ka qenë një gjë që i kam kërkuar Bashën në 2017, jo më anglisht, është turp i botës, nuk na respektojnë miqtë dhe partnerët nëse u japim bujarisht detyra që janë tonat.

Ne nuk jemi shërbëtorë të askujt, jemi të ndërgjegjëshëm se nuk jemi as SHBA, BE, as superfuqi bërthamore, por një vend i vogël, falë edhe miqve dhe partnerëve tanë. Por vjen puna do të hapim apo jo listat, këtë e vendosim ne, se pastaj do të ishte fundi. Këtë e vendosim ne. Dhe nuk kemi asnjë problem që ta diskutojmë dhe t’ua themi, sikur ua kemi thënë dhe besoj do të vazhdojmë ta themi kur të jetë e nevojshme, por nuk besoj se do të jetë e nevojshme për një kohë të gjatë. Ky kuvend do të hapë listat në 30 korrik, kjo është marrëveshja”, tha Rama.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb