Sinoptikani Hakil Osmani ka folur për situatën metereologjike në vend duke thënë se fillimi i Gushtit do të sjellë rebeshe afatshkurtra, por nuk do të ndikojnë në zonën bregdetare. Në një intervistë për Fax Neës, u shpreh se do të jenë më së shumti në zonat malore.
“Pritet që dita e nesërme që është edhe fillimi i muajit Gusht të sjellë një freskim të lehtë të kushteve të motit dhe temperaturave duke bërë që kushtet e motit të jenë disi të paqëndrueshme. Këto do të jenë në zonat malore pasi pritet të kemi prezencë të vranësirave dhe të rebesheve afatshkurtra.
Lajme të mira do të kemi për zonat bregdetare pasi pritet që dhe pse kemi një ulje të lehtë të vlerave termike, zonat bregdetare do të mbeten kryesisht në dominimin e motit të kthjellët gjatë kësaj fundjave. Ditën e dielë, pothuajse i gjithë vendi do të jetë në kushte të qëndrueshme dhe pse gjatë orëve të mesditës dhe pasdites do të ketë prezencë sërish të vranësirave. Këto mund të gjenerojnë edhe reshje shiu në territorin shqiptar”, tha Osmani.
Sinoptikani shtoi se këto reshje vijnë si pasojë e ndikimit të masave ajrore të freskëta.
“Reshjet e shiu vijnë si pasojë e ndikimit të masave ajrore të freskëta, të cilat zbresin nga kontinenti europian duke bërë që të sjellin dhe rebeshe afatshkurtra. Një tjetër është se temperaturat e nxehta sjellin avullim të ujit, të cilat sjellin rebeshe, por që me kohë të shkurtër mund të sjellin sasi të konsiderueshme të reshjeve të shiut”, u shpreh Osmani.(A.M/Faxweb.al)
/faxweb
