Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, ka komentuar deklaratën e zëdhënëses së Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Heather Nauert mbi Afrinin, duke thënë se operacioni po zbatohet në kuadër të luftës kundër terrorizmit.
“Operacioni ‘Dega e Ullirit’ është një operacion kushtuar luftës kundër terrorizmit”, tha Aksoy përmes një kumtese të shkruar.
Ai tha se deklarata e zëdhënëses së DASH-it flet se SHBA-të akoma nuk e kanë kuptuar mirë qëllimin e operacionit.
“Autoritetet amerikane nuk mund ta kuptojnë qëllimin dhe natyrën e operacionit ‘Dega e Ullirit’ në Afrin, ose fatkeqësisht, nuk duan ta kuptojnë”, theksoi Aksoy, për të shtuar se operacioni në fjalë, në asnjë mënyrë nuk ka të bëjë me civilët, raporton aa.
“Qëllimi i tij është çlirimi i popullatës civile nga shtypja dhe dominimi i organizatës terroriste. Janë ndërmarrë të gjitha masat që të mos ketë viktima civile”, tha ai.
Aksoy ka hedhur poshtë pretendimet se operacioni në Afrin mund të dëmtojë luftën kundër DEASH-it në Siri, pasi siç tha, dëmi më i madh po shkaktohet nga shfrytëzimi i një organizate terroriste në luftë kundër një tjetër organizate të tillë.
Afrini i çliruar të dielën, ka qenë një strehë e madhe për YPG/PKK-në që nga korriku i vitit 2012, kur regjimi sirian i Bashar al-Asadit i lëshoi qytetin pa luftë grupit terrorist.



