Lajmin se punimet për ndërtimin e tunelit të Skarficës përgjatë rrugës Kardhiq-Delvinë nisën e njoftoi kryeministri Edi Rama.
Përmes një njoftimi në rrjetin e tij social, kreu i qeverisë, shkruan se ndërtimi i tunelit do të finalizojë një tjetër investim të rëndësishëm në infrastrukturë.
Rruga Kardhiq Delvinë, 34 kilometra e gjatë, është një segment i rëndësishëm që lidh Sarandën me qytetet e tjera në më pak kohë. Është llogaritur se distanca mes Tiranës dhe qytetit bregdetar shkurtohet në 3 orë.
Referuar videos se realizuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe e publikuar nga Edi Rama, njoftohet se punimet në lotin e parë, të dytë dhe të tretë janë mbyllur. Në të katërtin, pestin dhe të gjashtin, pjesa më e madhe, 80 për qind është ndërtuar. Tanimë radhën e ka tuneli i Skarficës, segmenti që çoi në dorëheqjen e Sonila Qatos, ish drejtoren e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Në shtatorin e 2019, tenderi për ndërtimin e tunelit të Skarficës me një fond prej 23 milionë eurosh u bë shkak që punimet të shtyheshin përtej afatit të përcaktuar. Në atë kohë kompania “Gjoka Construction” e skualifikuar, kallëzoi penalisht Sonila Qaton për shpërdorim detyre, pabarazi në tender dhe korrupsion pasiv. Çështja u ankimua në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili e rrëzoi vendimin e ARRSH-së, por ky i fundit refuzoi të zbatojë vendimin. Në këtë situatë Ministria e Infrastrukturës anuloi fondin për këtë segment të rrugës Kardhiq Delvinë për 2019.
Në intervistën e dhënë për emisionin e-zone në Vizion Plus, Ergys Verdho, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar bëri me faj Komisionin e Prokurimit Publik për mosdhënien e një vendim final deri në përfundim të hetimeve të nisura nga prokuroria. Sot me pak se dy muaj nga deklarata e drejtuesit të ARRSH, duket se ngërçi është zgjidhur. Njoftohet se punimet kanë nisur, por nuk është bërë publike as fondi dhe as kompania ndërtuese.