Skip to content

Gjermanët, dyshues ndaj vaksinës ruse: ende s’e njohim!

Gjermania shprehu dyshime për cilësinë dhe sigurinë e vaksinës ruse kundër koronavirusit dhe theksoi se ajo mund të regjistrohet në Bashkimin Evropian vetëm pas të gjitha provave klinike.

“Siguria e pacientëve është përparësia më e lartë. Nuk ka të dhëna për cilësinë, efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës ruse,” i tha një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë rrjetit gjerman RND.

Më herët, Presidenti Putin njoftoi se Rusia ishte vendi i parë që regjistroi një vaksinë kundër COVID-19, pas më pak se dy muajve të testimeve njerëzore.

Mosbesim

Ai tha, ndër të tjera, se vaksina e zhvilluar nga Instituti Gamaleya në Moskë ishte e sigurt dhe se ajo iu dha njërës prej vajzave të tij.

Ekspertë të shumtë të shëndetit publik kanë shprehur skepticizëm për vaksinën ruse, duke theksuar se është e vështirë të besosh në një vaksinë, për të cilën nuk janë publikuar të gjitha të dhënat nga ato teste.

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) gjithashtu reagoi ndaj lajmeve nga Rusia se ishte prodhuar një vaksinë kundër virusit koronar, duke kujtuar se procedurat rigoroze janë të nevojshme për miratimin e çdo vaksine.