Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka reaguar për ndarjen nga jeta të mësuesit nga Rrësheni duke shprehur dhimbjen dhe respektin për kontributin e tij disa vjeçar në shkollë. Në një status në rrjete sociale, thekson se virusi është i pabesë ndaj të gjithë duhet të mbrohen dhe të respektojnë protokollet shëndetësore.
Reagimi i plotë: Mora lajmin e hidhur që një nga mësuesit tanë të nderuar në qytetin e Rrëshenit ka humbur sot betejën me COVID-19. Shpreh dhimbjen dhe respektin për këtë mësues të vyer e me përvojë dhjetëra vjeçare, si për stafin e shkollave ku ai ka dhënë mësim, ashtu dhe për nxënësit që ai ka edukuar ndër vite.
Ndaj këtë dhimbje me familjarët e mësuesit Kola, me nxënësit dhe kolegët e tij. Dua të theksoj edhe një herë nevojën që gjithsecili prej nesh të zbatojë sa më me rigorozitet të gjitha masat e nevojshme për tu mbrojtur nga ky virus i pabesë dhe i padukshëm.
Çdo jetë e juaja dhe e familjarëve tuaj është e shenjtë dhe duhet mbrojtur nga të gjithë ne si shoqëri, prandaj të respektojmë me rigorozitet të gjitha protokollet shëndetësore. Uroj SHËRIM TË SHPEJTË edhe për arsimtarët e tjerë që janë prekur nga ky virus.
Mësuesi mirditor Gjon Kola, 57 vjeç ishte i shtruar prej disa ditësh në spitalin Infektiv, ku humbi edhe betejën me Covidin.
/faxweb
