Ish deputeti i PD, Klevis Balliu ka reaguar për situatën kaotike në pikën kufitare të Kakavijës duke fajësuar mungesën e reagimit të kryeministrit Rama, të cilit i kujton se është njëkohësisht Ministër i Jashtëm. Në një intervistë për Fax News, Balliu u shpreh se Rama është i pranishëm vetëm në ngjarje ku flitet për koncesione, ndërsa e krahason Kakavijën me skenat e Sirisë dhe Libanit.
“Kryeministri ndodhet me pushime dhe nuk ka një deklaratë të tij, i cili është edhe ministër i jashtëm. Pra ky njeri duhet të ishte sot atje. Rama nuk shkon atje ku nuk ka fitime financiare. Ai nuk sheh se çfarë të vjedhë atje, ndaj dhe nuk shkel. Nëse do bëhej fjalë për koncesion, vjedhje do të ishte i pari. Ju e mbani mend sa i uritur ishte për të dalë në televizion gjatë pandemisë. Kur bëhet fjalë për vjedhje, është i pari që ndodhet aty.
Ajo që po ndodh me qytetarët është e ngjashme me skenat e Sirisë dhe Libanit, por ne nuk jemi në stadin e tyre. Jemi një vend kandidat për BE. Pse ndodhi këto situata sot? Sepse qeveria jo vetëm që ka dështuar në menaxhimin e pandemisë, por edhe në ruajtjen e marrëdhënieve fqinje. Mos të harrojmë, ambasada shqipare në Greqi ishte e përfshirë në vjedhjen e pasaportave dhe nuk është marrë ndonjë qëndrim, paçka se kryeministri është edhe ministër”, u shpreh Balliu.
Sa i përket udhëtimit të ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, Balliu thotë se ndërhyrja e saj është e pakuptimtë. Sipas tij, përveç Ramës, i vetmi person nga kabineti qeveritar që duhet të ishte pranë qytetarëve është Ministrja Ogerta Manastirliu pasi jemi në situatë pandemie.
“Që nga momenti që shkon Xhaçka, është pa kuptim. Ç’punë ka ajo atje? Ku është ministri i jashtëm? Ç’punë ka ministria e mbrojtjes? Ushtrinë do cojmë atje ne? Minimalisht duhet të ishte ministrja e Shëndetësisë se jemi në situatë pandemie dhe nuk kanë asnjë kusht për të ruajtur veten. Pra nuk kanë një plan, thjesht menduan një person për ta cuar atje për pamjen mediatike pavarësisht se ajo ngjarje është prej 7 ditësh. Mbase se nuk ka qenë me pushime Xhacka apo dikush tjetër, por problemet e qytetarëve nuk zgjidhen pasi mbarojnë pushimet”, u shpreh Balliu.(A.M/Faxweb.al)
/faxweb
