Skip to content

“Nuk kemi çfarë bëjmë më tepër”, Olta Xhaçka nga Kakavija: Pjesa më e madhe e qytetarëve duhet të kthehen mbrapsht

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka folur për mediat sërish nga Kakavija pak minuta më parë ku tha se qeveria shqiptare po bën aq sa mundet që të kalojnë deri nesër në mëngjes drejt Greqisë sa më shumë qytetarë, por bëri të ditur se pjesa më e madhe e të cilëve do duhet të kthehen pas.

Xhaçka tha se situata ka ardhur në bazë të masave që ka vendosur shteti fqinj për parandalimin e pandemisë, ndërsa bëri apel për qetësi dhe përdorimit të një mundësie tjetër në ditët në vijim për të ndërmarrë udhëtime drejt shtetit helen.

“Mbi 370 makina kanë kaluar dhe rreth 2200 qytetarë krahasuar me dje që ka pasur rreth 700 qytetarë dhe më pak makina se sa sot.  Shteti fqinj ka marrë këto masa, ne s’kemi çfarë bëjmë vetëm nëse i biem murit me kokë. Kush kalon sot, mirë, ndërkohë që pjesa tjetër që mendoj se është e madhe do duhet të kthejnë në Shqipëri dhe të ndjekin nga e para protokollin për të gjetur një moment tjetër që të shkojnë në vendin fqinj. Ne nuk kemi çfarë bëjmë, po bëjmë gjithçka kemi në dorë që në afatin e mbetur të kalojnë sa më shumë qytetarë.

Nuk do kalojnë dot të gjithë qytetarët deri nesër në mëngjes. Është ndaluar hyrja edhe për qytetarët grekë, ka të bëjë edhe me kapacitetet njerëzore por edhe me masat që ka marrë vendi fqinj për veten e tij. Natyrisht i ka marrë në kulmin e sezonit turistik, janë të diktuara nga situata e pandemisë që po kalojmë dhe nga asgjë tjetër. Nuk është e udhës të bëhen insinuata të tjera. Edhe nga pala e tyre nuk është e lehtë, se do të thotë më shumë njerëz dhe kontrolle”, tha ndër të tjera Xhaçka.

(F.GJ/FAXWEB.AL)

/faxweb