Skip to content

LAJM I FUNDIT/ Të gjithë qytetarët në Kakavijë do të kalojnë kufirin, paralajmërimi për të tjerët që nisen

Gazetarja e Fax News, Mirilda Tili ka raportuar nga Kakavija se është arritur marrëveshja mes palëve se do të kalojnë të gjitha makinat që ndodhen në autokolonën e gjatë në drejtim të vendit fqinj.

Kjo konfirmohet nga burimet e Fax News nga efektivët e policisë të cilëve u janë dhënë direktivat për të njoftuar dhe menaxhuar situatën.

Ndërkohë, siç e raportuam edhe më herët, të gjithë ata që do të nisen nga ky moment drejt Greqisë nga zona të ndryshme të vendit, duhet të kenë me vete certifikatën e testimit që kanë rezultuar negativ me Covid-19.

Për këtë në tre pika të aksit që të dërgon në Kakavijë, janë vendosur postoblloqe policie të cilët këshillojnë qytetarët për masat e reja.

Autoritetet shqiptare janë vënë në lëvizje pas ngjarjeve kaotike në dy doganat që ndaj vendin tonë me Greqinë, Kapshticë dhe Kakavijë, ndërsa kjo e fundit ishte më problematikja gjatë 3-4 ditëve të fundit, me mijëra njerëz që prisnin në radhët kilometrike të mjeteve për të kaluar në shtetin fqinj.

Ditën e sotme burime bëjnë me dije se në Jorgucat, Tepelenë dhe Gjirokastër janë vendosur postblloqe për të njoftuar qytetarët që të mos nisen drejt Kakavijës nëse nuk disponojnë një certifikatë që kanë dalë negativ nga testimi për Covid-19. Ndërkohë, hyrja e shqiptarëve por jo vetëm në shtetin helen vijon pas vendimit të mbrëmshëm për shtyrjen me 24 orë të kohës që duhej shfrytëzuar deri në hyrjen në fuqi të masave të reja të Greqisë.

(F.GJ/FAXWEB.AL)

/faxweb