Skip to content

Kalimi i udhëtarëve në doganë, Edi Rama: Rùani veten e të tjerët nga virùsi i rrezíkshëm (Rregullat e reja për kalimin e kufirit me Greqinë)

Ka marrë fund makthi i mijëra emigrantëve dhe udhëtarëve që prej 4 ditësh qëndronin nëpër radhël kilometrike në Kakavijë dhe Kapshticë për t’u futur në territorin grek, e kjo vinte si pasojë e masave të reja që do të hynin në fuqi që më datë 16 Gusht nga ana e shtetit helen, si dhe nxitimin e qytetarëve për të mos iu nënshtruar kushteve shtesë.

Rreth mesnatës së kaluar bëhet me dije se kanë kaluar edhe qytetarët e fundit në Kakavijë aty ku edhe kaosi ishte më i madh, ndërsa Greqisë iu desh dy herë të shtynte oraret e përcaktuara PËR SHKAK TË FLUKSIT.

Në lidhje me këtë ka reaguar kryeministri Edi Rama i cili shkruan se falenderon të gjithë ata që kontribuan në zgjidhjen e këtij ngërçi, teksa uron një qetësim sa më të shpejtë dhe rifillim normal të jetës së përditshme, “të gjithë bashkëqytetarëve që e hoqën atë siklet të madh dhe u lutem të tjerëve në vijim, të ndjekin me vëmendje kriteret e përcaktuara në shtetin fqinj për kalimin e kufirit”.

Kreu i qeverisë ka këshilluar qytetarët ndërkohë që të mos nisen pa u siguruar se mund ta kalojnë kufirin pa siklete të ngjashme.

“FALEMINDERIT të gjithë atyre që kontribuan për zgjidhjen e ngërçit të rëndë në pikën kufitare të Kakavisë; qytetarëve në radhë të parë, që në shumicën dërrmuese patën mirëkuptim e durim megjithë hallin e madh; Emergjencave Civile, forcave të ushtrisë e të policisë, trupës së Urgjencës Shëndetësore dhe strukturave vendore, që u gjendën pranë njerëzve me përkushtim e pa orar; të gjithë atyre në vendin fqinj që u përfshinë pa rezervë në përpjekjen për ta lehtësuar situatën, në kushtet kur regjimi i ri kufitar e bënte punën për zgjidhjen e saj tejet të vështirë.

U uroj nga zemra një qetësim sa më të shpejtë dhe rifillim normal të jetës së përditshme, të gjithë bashkëqytetarëve që e hoqën atë siklet të madh dhe u lutem të tjerëve në vijim, të ndjekin me vëmendje kriteret e përcaktuara në shtetin fqinj për kalimin e kufirit, e të mos nisen pa u siguruar se mund ta kalojnë kufirin pa siklete të ngjashme. Rrugë të mbarë udhëtarëve të fundit dhe ruani veten e të tjerët nga virusi i rrezikshëm Covid19”, shkruan Rama.

Por cilat janë rregullat e reja që duhet të përmbushi një qytetar që kërkon të kalojë përmes pikave kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë duke nisur nga sot?

-Të gjithë qytetarët që udhëtojnë drejt Greqisë do të duhet të karantinohen për 7 ditë në shtetin grek. Policia e Shtetit ka rikujtuar dokumentat që qytetarët duhet të kenë për të hyrë në territorin grek duke filluar nga 17 gushti:

-Çertifikatën e kryerjes së testit COVID-19, jo më vonë së 72 orë nga dita e udhëtimit dhe rezultati të jetë NEGATIV;

-Testimi të jetë bërë nga autoriteti shtetëror (Instituti i Shëndetësisë) ose nga çdo spital apo klinikë e certifikuar dhe e njohur nga shteti;

-Certifikata të përmbajë të dhënat personale të personit, numrin e pasaportës ose të kartës greke, rezultatin negativ të testit, emrin e Institucionit ku është kryer testimi, adresën, numrin e telefonit, si dhe të jetë e përkthyer në gjuhën angleze;

Do të lejohen të hyjnë në Republikën e Greqisë shtetasit që kanë leje qëndrimi greke ose shtetësi greke, punëtorët sezonal, si dhe çdo shtetas që ka marrë konfirmim nga autoriteti përkatës; Çdo shtetas që do të hyjë gjithashtu duhet të këtë plotësuar formularin PLF.

Në doganën e Kakavijës do të lejohen të futen deri në 750 qytetarë në 24 orë, ndërsa në atë të Kapshticës vetëm 300 qytetarë në të njëjtin hark kohor.

(F.GJ/FAXWEB.AL)

/faxweb