Skip to content

100 vjet nga Lufta e Vlorës/ Meta: 3 shtatori të shpallet Festë Kombëtare

Presidenti Ilir Meta e konsideroi 3 shtatorin si një ditë madhështore që jetësoi Pavarësinë e Shqipërisë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit shkroi se triumfi i Luftës Kombëtare të Vlorës si sot 100 vjet më parë, meriton të kurorëzohet me vendosen e 3 shtatorit si Festë Kombëtare.

Postimi i plotë i Presidentit Meta

GËZUAR 3 SHTATORIN, DITËN MADHËSHTORE QË JETËSOI PAVARËSINË E SHQIPËRISË!

Sot, 100 vjet më parë, populli shqiptar i bashkuar në Luftën Kombëtare të Vlorës u dha fundin e merituar projekteve për shpërbërjen e Shqipërisë, duke hedhur në det pushtuesit dhe i dalë zot vendit, pas muajsh luftimesh heroike.

“Nuk qe vetëm nderi dhe shpëtimi i Vlorës por qe nderi dhe shpëtimi i tërë Shqipërisë”.

Mirënjohje të gjithë luftëtarëve të lirisë, kapedanëve që komanduan, mjekëve që shëruan plagët, atyre që hartuan ultimatumin dhe atyre që e zbatuan atë me gjakun e tyre, në mbrojtje të fitoreve të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit e që dëshmuan se Zot i kësaj toke janë vetëm shqiptarët.

Nderim veprës heroike, sakrificave sublime dhe kujtimit frymëzues të atdhetarëve, të cilët shkruan epopenë e lavdishme të Luftës së Vlorës!

Ndaj çdo 3 Shtator dhe çdo 28 Nëntor çdo shqiptar kudo ndodhet, ndihet edhe vlonjat, sepse këtu në Vlorë u bë historia, këtu u ngrit Flamuri Kuq e Zi, këtu u nënshkrua liria, këtu u jetësua Pavarësia dhe kjo ndodhi me gjakun e bijve më të mirë të kësaj toke.

3 shtatori duhet shpallur FESTË KOMBËTARE!