Skip to content

Dialogu sot në Shtëpinë e Bardhë: Në Prishtinë e Beograd mbajnë frymën…

Një takim dy-ditor i delegacioneve të Serbisë dhe Kosovës fillon sot në Shtëpinë e Bardhë si pjesë e vazhdimit të dialogut të tyre, pjesa amerikane.

Ajo që s’u bë e mundur më 27 qershor, ku do ishte Thaçi me Vuçiçin, po realizohet tani, me Hotin në vend të Thaçit, e pasi Dialogu është shtënë në dorë nga Brukseli.

Takimi do të organizohet nga i dërguari Richard Grenell dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien.

Burime pranë administratës amerikane deklaruan se Shtetet e Bashkuara nuk kanë një “plan sekret” dhe se temat do të jenë ekonomike.

Sipas tyre, do të diskutohen tre marrëveshjet e arritura nga të dy palët, dmth. mbi rivendosjen e linjës ajrore dhe zhvillimin e transportit hekurudhor dhe rrugor.

Megjithatë, ka një kërshëri rreth asaj çfarë do ketë në finale të takimeve. Kjo pasi si Hoti e si Vuçiç, kanë parathënë se nga Uashingtoni do ketë diçka “vendimtare”.

Në këtë kohë është e panjohur nëse Presidenti Trump do të marrë pjesë në takime.

Pas takimit në Uashington, delegacionet e larta të Serbisë dhe Kosovës janë planifikuar të takohen në Bruksel më 7 shtator për të vazhduar dialogun.

Takimi do të organizohet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Joseph Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak.