Pak ditë pasi fitoi betejën e tij me Covid 19, në një spital të specializuar në Turqi, deputeti Enver Roshi është kthyer sot në Kuvend, ku ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që i kanë qendruar pranë.
Roshi u kërkoi qytetarëve që të ndërgjegjësohen për t’u kujdesur për veten dhe të marrin fatin e tyre në dorë, pasi po kalojmë në një situatë kur virozat e stinës dhe COVID-19 po “bashkëjetojnë”.
Duke lidhur përhapjen e koronavirusit me ndryshimet klimaterike, deputeti i opozitës parlamentare u shpreh se gjatë dimrit situate do të jetë më e vështirë për shqiptarët pasi do qëndrojnë në ambiente të mbyllura, ndërsa bëri thirrje që politika të jetë në një zë.
“Të nderuar kolegë, mjeku më rekomandoi të prisja ulur por unë në respekt të mirënjohjes për ju, për mbështetjen që më dhatë për situatën kritike shëndetësore që kalova ngrihem këtu për të shprehur mirënjohjen time për angazhimin që më dhatë, kurajën, motivimin për të jetuar.
Jam i emocionuar se kalova një situatë të rëndë shëndetësore. Jo vetëm ju, mjekëve, personelit shëndetësor. Dua ti shpreh mirënjohjen qytetarëve të Shqipërisë që me mesazhet e tyre më kanë inkurajuar për t’i shërbyer atyre. Dhe unë iu premtoj se do të jem një qytetar i denjë i gjithë shqiptarëve kudo që janë.
Kjo situatë e COVID ka të bëjë edhe me ndryshimin e klimës, sepse ndryshimi I klimës, prishja e ekuilibrit të natyrës prej mijëra vitesh cenon sot rëndë jetën e njerëzve në vendin tonë dhe kudo në botë.
Po kalojmë në stinën e virozave dhe bashkë me virozat është edhe COVID, prania e këtyre të dyjave, jetesa në ambiente të mbyllura në stinën e dimrit e bën më emergjente për shqiptarët që të bëhen më të ndërgjegjshëm dhe të marrin në dorë fatet e tyre.
Politika duhet të jetë në një zë në shërbim të qytetarëve dhe të dëgjojnë këshillat e mjekëve. Ndërgjegjësimi kalon tek qytetarët”, tha Roshi.
/faxweb
