Skip to content

“Më thonë që kam dy shtëpi”/ Banori nga Kruja: Djalin e kam të paralizuar, jemi të stresuar

Një tjetër familje e dëmtuar nga tërmeti i nëntorit ankohet se nuk ka marrë një zgjidhje për problemin. Behar Kallaku nga Kruja tha para demokrates Orjola Pampuri se nga bashkia i është thënë se ka dy shtëpi, në një kohë kur ka vetëm një. Sipas tij, edhe banesa që ka ju dëmtua nga tërmeti. Por nga autoritetet nuk i jepet një shpjegim se çfarë do të ndodhë me të, do të rindërtohet apo do të prishet.

 

“Mua tërmeti më goditi si të gjithë zonat tona dhe fatkeqësisht më është shembur dhe shtëpia. Unë kam përfituar një DS4 në bazë të ekspertëve që kanë ardhur të gjithë dhe akoma nuk më kanë dhënë një zgjidhje tamam zyrtare. Sipas bisedës që kam bërë me përfaqësues të bashkisë së Krujës, më kanë thënë që ti disponon dy shtëpia. Faktikisht unë kam vetëm një shtëpi, edhe kjo shtëpi më është shembur dhe tani jam jashtë. Ekspertët të gjithë, kanë ardhur dhe thanë e ke DS4. Urdhëro dokumentin, është DS4. Tani dyshojnë, por unë në fakt nuk kam shtëpi tjetër. Shtëpia është vetëm kjo këtu.”

 

 

Behar Kallaku u shpreh se ndodhet në një situatë shumë të vështirë sepse djalin e ka të paralizuar. Ai kërkoi ndihmë që kjo situatë të zgjidhet sa më parë.

 

“Duke pa dhe situatën e vështirë, djali që është i paralizuar dhe problemet e tjera ekonomike të miat, unë nuk e përballoj situatën me këto financa që kam. Prandaj kërkoj nga Bashkia e Krujës, të më një japin një urdhër, një vendim të saktë, zyrtar, a kam përfituar DS4, po se jo. Nuk i kërkoj asgjë tjetër! Nuk ka gjë të keqe edhe po më thanë jo. Është më e ndershme të më thonë jo, sesa po, me na stresu. Na kanë çuar në një stres të paparë, saqë ata nuk e kuptojnë, asnjë, çfarë stresi kemi ne!”