Ministrja e re e Arsimit, Evis Kushi bëri me dije se Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që të punësohen 1 mijë mësues shtesë për të përballuar pandeminë dhe për të vijuar procesin mësimor gjatë vitit 2020-2021.

Në VKM është përcaktuar që rekrutimi i mësuesve do të bëhet nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”, ndërsa paga do të jetë me kontratë të përkohshme ose me kohë të pjesshme.

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT MAKSIMAL TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR MINISTRINË E ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës të Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.Numri maksimal i punonjësve arsimorë me kontratë të përkohshme ose me kontratë me kohë të pjesshme, për vitin shkollor 2020-2021 për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, është jo më shumë 1 000 (një mijë) punonjës.

2.Punonjësit arsimorë me kontratë të përkohshme ose me kontratë me kohë të pjesshme rekrutohen nga portali “Mësues për Shqipërinë” për sistemin arsimor parauniversitar (arsimi bazë, gjimnazi dhe arsimi i mesëm i orientuar), me qëllim përballimin e nevojave për punonjës arsimorë shtesë gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, për vitin shkollor 2020-2021.

3.Shpërndarja e numrit të punonjësve arsimorë me kontratë të përkohshme ose me kontratë me kohë të pjesshme, në varësi të nevojave të zyrave vendore të arsimit parauniversitar, bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.

4.Pagesa e punonjësve arsimorë me kontratë të përkohshme ose me kontratë me kohë të pjesshme kryhet në përputhje me përcaktimet e bëra në vendimin nr.175, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jo mësimorë, në arsimin parauniversitar”, të ndryshuar, në varësi të kohës së punës së kryer.

5.Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i shtetit për vitin 2020, i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në programet buxhetore “Arsimi bazë” dhe “Arsimi i mesëm i përgjithshëm”.

6.Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko