Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën “arrest shtëpie” për gjyqtaren Mimoza Margjeka, e cila akuzohet nga SPAK se ka marrë një shumë prej 6 mijë eurosh për të liruar një të arrestuar për trafik klandestinësh.
Por Margjeka nuk e priti mire vendimin, duke dalë e revoltuar nga salla e gjyqit.
Margjeka pretendon se nuk ka asnjë provë për përfshirjen e asaj ne këtë ngjarje, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj gjyqtareve, të cilët sipas saj kanë frikë nga vettingu.
MIMOZA MARGJEKA
GJYQTARE
“Guxoni t’i dilni përballë shtetit, harroje që i del kush, ju i keni parë kush është goditur , kush është futur ne burg? Vetëm ata që i kanë dalë përballë shtetit vetëm ata. Gjyqtarët janë të frikësuar kanë hall vettingun. Mos më prek moj më lër të flas. E kam bërë për njerëzit, vendimin e Gjykatës Durrës për zgjedhjet e kanë dhënë për njerëzit.”
Margjeka ka pretenduar se i gjithë procesi i arrestimit e saj është bërë për shkak se nuk ka njohur zgjedhjen e Valbona Sakos në krye të Bashkisë së Durrësit.
“Është bërë sepse nuk i dhashë mandatin e bashkisë së Durrësit, aty është një vend me mafia me kriminalitet, nuk e dhashë mandatin sepse isha e bindur sepse edhe sot të isha. Le të shfaroset familja ime le të shkatërrohet nuk e kam dhënë mandatin, sepse nuk e meritonin ishte mashtrim.”
Gjyqtarja Mimoza margjeka, bashkëshorti i saj Arben Cara, avokati Skënder Demiraj, Nentjon Bali dhe Klaudio Zhilla u arrestuan nga prokuroria e posaçme me datë 9 shtator të këtij viti.
Ata akuzohen se janë bërë pjesë e një skeme korrupsioni prej 6 mijë eurosh për lirimin e të paraburgosurit Orion Bali, ndaj të cilit rëndonte akuza e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
SPAK ka përgjuar bisedat telefonike ku te arrestuarit diskutonin me familjarët e tyre,se ku do t’i gjenin paratë dhe se si do te behej dorëzimi i tyre.