Deputetja Rudina Hajdari e ka quajtur një tentativë intrigantësh, atë që ka bërë sot Partia Socialiste, duke paraqitur disa amendime për Kodin Zgjedhor. Sipas Hajdarit propozimet e Gjiknurit janë hileqare, dhe nuk pranojnë kërkesë e kahershme të opozitës parlamentare për hapjen 100% të listave.
Hajdari: Propozimi i sotem i Partise Socialiste eshte nje ofendim jo vetem per opoziten parlamentare por mbi te gjitha per shqiptaret. Praktikisht eshte i njejti propozim si ai i meparshem, thjesht i artikuluar ndryshe me me shume hile dhe truke brenda.
Eshte per tu keqardhur se si Parlamenti nga nje institucion serioz i cili duhet ti sherbeje qytetareve dhe Shqiperise eshte kthyer ne strehe intrigantesh qe mendojne nga mengjesi deri ne darke se si t’ia hedhin qytetareve. Ne nuk e pranojme kete propozim, ne duam lista te hapura 100%, pa truke e pa hile.
Duam qe deputetet ti vendose qytetari dhe jo kryetari. Duam demokraci reale dhe jo kryetarokraci qe perdor pushtetin per te grabitur vendin e pasuruar nje grusht njerezish. Mireqenia e Shqiperise kalon vetem nepermjet demokracise dhe per kete ne nuk negociojme.
PS është tërhequr sot nga disa prej amendimeve që kishte propozuar për Kodin Zgjedhor, për të plotësuar kërkesat e opozitës parlamentare. Në një deklaratë për mediat, PS shprehet se ka pranuar kërkesën e opozitës parlamentare për heqjen e pragut 3%, si dhe për renditjen e kandidatëve fitues në lista.
Nga ajo që nuk tërhiqen socialistët është heqja e koalicioneve parazgjedhore, që është dhe thembra e akilit e të gjithë përplasjeve në Këshillin Politik. Me plotësimin e kërkesave të opozitës parlamentare, PS duket se po kërkon që të kalojë në Kuvend në mënyrë të njëanshme, pa pyetur PD LSI ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Një nga ndryshimet më të çuditshme, është ai që kryetari i partisë garuese në zgjedhje kur ajo konkuron e vetme, ose partisë udhëheqëse të koalicionit kur garojnë disa parti sëbashku në një listë, mund të regjistrohet njëkohësisht deri në katër zona zgjedhore. Në fazën e ndarjes së mandateve, lihet në vullnetin e tij/saj që të deklarojë në cilën zonë zgjedhore do të marrë mandatin duke hequr dorë nga zonat e tjera.
Deklarata e PS-s:
Në kuadër të procesit të dialogut me opozitën parlamentare dhe me synim garantimin e një konsensusi sa më të gjërë, Partia Socialiste ka paraqitur në Komisionin Parlamentar për çështjet Ligjore dhe Administratën Publike disa ndryshime në raport me amendamentet e saja fillestare që reflektojnë ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor dhe synojnë një formulë kompromisi mes palëve.
PROPOZIMI I RI merr në konsideratë ULJEN nga 3% në 1%, TE PRAGUT që duhet të arrijnë subjektet zgjedhore për të përfituar nga shpërndarja e mandateve. Sipas formulimit të ri, fjalia e dytë e pikës 1 të nenit 162 ndryshohet si vijon: “Për zgjedhjet për Kuvendin, përjashtohen nga shpërndarja e mandateve subjektet zgjedhore që kanë më pak se 1% të votave të vlefshme në shkallë vendi”. Ky opsion është optimal dhe mund të konsiderohet si një prag natyral pasi është i përafërt me numrin e votave që i takon një mandati deputeti në Kuvendin e Shqipërisë.
NDRYSHIMI I DYTË i takon Nenit 163 që përcakton shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues të listës. Parashikohet që renditja e kandidatëve që përfitojnë mandat ndryshon nëse kandidati ka marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se HERËSI që del nga pjestimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti sipas nenit 162 të këtij Kodi, por JO MË SHUMË SE 10,000 VOTA.
NDRYSHIMI I TRETË ka të bëjë me detyrimin për RI-RËNDITJEN E PJESËS SË PARË TË LISTËS që korespondon me mandatet e fituara ashtu sikurse ri-rënditjen e pjesës së dytë të listës, bazuar mbi rezultatin e votave preferenciale.
Konkretisht, pjesa e parë e listës që përkon me numrin e mandateve të fituara ri-rënditet sipas rezultatit të votave preferenciale, pa cënuar parimin e kuotave gjinore. Kandidati me më pak vota preferenciale spostohet në vendin e fundit, brenda pjesës së parë të listës që korespondon me mandatet fituese. Më pas, kryhet ri-rënditja e pjesës së dytë të listës, bazuar mbi rezultatin e votave preferenciale.
Nëse në pjesën e dytë të listës rezulton se një ose disa kandidat kanë numër votash më të lartë se herësi, përfitojnë mandat duke zëvendësuar kandidatin/tët e fundit në rënditje që do të përfitonin mandat sipas renditjes së pjesës së parë të listës, bazuar në votat që ka marrë secili prej tyre dhe kur ata kanë më pak vota preferenciale. Në këtë formë garantohet që kandidati i cili ngjitet nga pjesa e dytë e listës tek ajo fituese sposton poshtë dhe i zë vendin kandidatit që ka numrin më të vogël të votave preferenciale. Ky rregull nuk zbatohet nëse kandidati me më pak vota i përket gjinisë më pak të përfaqësuar. Në këtë rast zevendësimi kalon tek kandidati tjetër i renditur menjëherë më lart me numër votash deri në shterimin e listës sipas të njëjtave kritere.
NDRYSHIMI I KATËRT parashikohet në nenin 67, ku përcaktohet se KRYETARI I PARTISË GARUESE në zgjedhje kur ajo konkuron e vetme, OSE PARTISË UDHËHEQËSE TË KOALICIONIT kur garojnë disa parti sëbashku në një listë, MUND TË REGJISTROHET NJËKOHËSISHT DERI NË KATËR ZONA ZGJEDHORE. Në fazën e ndarjes së mandateve, lihet në vullnetin e tij/saj që të deklarojë në cilën zonë zgjedhore do të marrë mandatin duke hequr dorë nga zonat e tjera.
Të gjitha nenet e tjera të amendamenteve, përfshirë ato që kanë të bëjnë me përkufizimin për koalicionet mbeten të njëjta me propozimin fillestar të bërë publik nga Partia Socialiste dhe të depozituar në Kuvend. (E.K/Faxweb.al)
/faxweb
