Ka qenë e ngjeshur me deklarata e me konferenca paraditja e kësaj të premteje, me mbledhjen e dy qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë, por edhe me një komunikim të përjavshëm me gazetarët nga ana e presidentit Meta.
Një nga shqetësimet më të mëdha të ngritura prej kreut të shtetit ishte humbja e Shqipërisë në arbitrazhet ndërkombëtare, për të cilat Rama tha se nuk ka asnjë vendim që është i pakthyeshëm.
E teksa tha se Meta ia kërcet kokoshkës, presidenti duket se i është përgjigjur Ramës me një postim të ish-presidentit Bujar Nishani, i cili ka komentuar mbledhjen e dy qeverive shqiptare.
“6 (gjashtë) mbledhje të përbashkëta midis qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. A mund të thotë dikush 1(një) qoftë edhe 1 (një) produkt të arritur apo të prekur nga shqiptarët këndej dhe andej kufirit pas gjithë këtyre mbledhjeve ??!!
Jo 6 (gjashtë) por 1(një) veç 1 (një). Asgjë ! 0 (zero) me bisht ! Ah po, traun e taksës në Rrugën e Kombit nga qeveria e rilindsave në Shqipëri ! Natyrisht asgjë për tu çuditur !
Një qeveri shqiptare që rrjeshtohet nën skenarin serb të copëtimit të trojeve të Kosovës nuk e ka për hiç gjë, të ringrejë barriera komunikimi midis shqiptarëve. Maskat janë çjerrë, tradhëtarët e kombit janë mbi ujë si tapa të kalbura !”, shkruan Nishani në postimin që e ka ndarë dhe Meta në faqen e tij të Facebook.
Ndërkohë Meta shkruan më tej: Diskreditimi ndërkombëtar i Shqipërisë është shërbim për defaktorizimin e shtetit të Kosovës dhe faktorit shqiptar në rajon, i cili ka qenë kudo faktor stabiliteti e europianizimi. Vetëm një Shqipëri me kredenciale demokratike dhe që plotëson kushtet e çeljes së negociatave e ndihmon edhe shtetin e Kosovës dhe faktorin shqiptar në rajon (E.K/Faxweb.al)
/faxweb
