Skip to content

“Bie teza e Ramës”, PD sjell modelin dhe i kujton marrëveshjen e 2003: Ja cili vend ka në fuqi koalicione të përbëra

Përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi ka folur para mediave duke i dhënë mazhorancës modelin që ka në fuqi koalicionet e përbëra. Bylykbashi përmendi Italinë duke i kujtuar Ramës se PD dhe PS e kanë marrë me konsensus në vitin 2003.

Oerd Bylykbashi: Modeli që propozon PS është antikushtetues. Koalicionet nuk kanë të drejtë të propozojnë kandidat. Kushtetuta është në përputhje të plotë me kodin zgjedhor në fuqi, koalicioni me listë të përbërë që ka Shqipëri është marrë nga modeli italian dhe sot është në fuqi në Itali.

E keni dëgjuar Ramën që nuk ekziston ky model askund në Europë. Ne e kemi marrë nga Italia , PS dhe PD e kanë miratuar me konsensus në vitin 2003 dhe parlamenti italian ka miratuar në 2017 ligjin e ashtuquajtur “Rozato”, i cili aplikon zgjedhjet për parlamentin italian, koalicionin me listë të përbërë sic e kemi ne.

Modeli me listë të përbërë që përfshihet në ligjin “Rozato” përdoret si me listë të mbyllur apo me listë të hapur me votim preferencial, gjë që rrezon tezën e Ramës se për shkak që hapet lista duhet ndryshuar koalicioni zgjedhor. Kushtetuta e Shqipërisë e 30 Korrikut nuk propozon asnjë model, por qartazi ndalon modelin që propozon PS dhe është në përputhje me atë që sot ka kodi zgjedhor. Bie teza e Ramës që ky model  nuk ekziston. Koalicioni me listë të përbërë është në fuqi në një nga demokracitë më të mëdha në BE.

/faxweb