Skip to content

Arrestimet e zyrtarëve të AKBN-së, në hetime u përfshi dhe FBI-ja, personi kryesor i supermashtrimit i shpëton Policisë. Sa është dëmi ekonomik i shkaktuar (Detajet)

Kanë dalë emrat e të gjithë zyrtarëve të ish-zyrtarëve, për të cilët është dhënë masa e sigurisë arrest me burg, për veprimtarinë që kanë kryer, teksa kanë qenë pjesë e Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Të gjashtë zyrtarët e AKBN për të cilat prokuroria ka kërkuar masën arrest me burg e që akuzohen për “mashtrim me pasoja të rënda”, “kontrabande me mallra qe paguhen akcize”, “fshehje te ardhurash” dhe “shpërdorim detyre”.

Naim Kasa, Isuf Berberi, Klodian Gradeci, Denis Durrsi, Qani Hoxhaj, Arben Doda, Simon Marku dhe Rezarta Qose janë emrat për të cilët Prokurori Julian Xhengo ka dhënë masën e sigurisë së arrestit.

Ndërkohë raportohet se gjashtë prej tyre janë arrestuar, mes të cilëve zyrtarë të arrestuar të AKBN janë Naim Kasa, Isuf Berberi, Denis Durrsi (Drejtor Ekonomik, ndërsa gruaja e tij specialiste në AKBN) dhe Qani Hoxhaj (shef sektori i licensave të prodhimit), ndërsa është në kërkim Klodian Gradeci, Drejtor i drejtorisë së hidrokarbureve.

Naim Kasa dhe Klodian Gradeci cilësohen si kryesorët në këtë çështje, për të cilën hetimet kanë nisur që në vitin 2016. Nga çështja në total rezultojnë 1.3 milionë dollarë fatura të falsifikua dhe dëmi llogaritet diku tek 600 mijë dollarë. Mësohet se ka qenë firma Feniks, një firmë shqiptare ajo që ka falsifikuar fatura të një firme ambientale.

Firma Feniks ka në vendin tonë tetë puse nafte me koncension dhe kishte detyrim që të kryente investime sipas marrëveshjes, të cilat nuk janë bërë. Por me fatura false ka sajuar sikur me një firmë amerikane së bashku me të ka kryer investime.

Mësohet se në këto hetime të Prokurorisë shqiptare është e përfshirë edhe FBI, e cila nisi letër porosi ku tha se faturat janë false dhe kurrë nuk janë bërë shërbimet.

Njoftimi i plotë i Policisë së Tiranës:

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë.

Ekzekutohen 6 masa sigurimi si dhe shpallen në kërkim dy shtetas të tjerë.

Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune intensive hetimore  disa mujore, finalizoi me sukses operacionin policor “Akciza”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila, bazuar në provat e grumbulluara në kuadër të procedimit të regjistruar, pas një pune disa mujore nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ka caktuar masë sigurimi ndaj 6 personave nën hetim, konkretisht:

Masën “Arrest në burg“ ndaj 5 shtetasve:

 D.D., 38 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Q.H., 63 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

 S.M., 32 vjeç, banues në Tiranë, rruga “Ylbere Bylykbashi“, me detyrë inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, për veprën penale “Moskryerjes së detyrave nga organet tatimore”.

A.D., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, për veprën penale “Moskryerjes së detyrave nga organet tatimore”.

 N.K.,  53 vjeç, banues në Tiranë, biznesmen, për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim”, “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Masën “Arrest në shtëpi” ndaj 1 shtetaseje:

R.S(Q), 35 vjeç, banuese në Tiranë, me detyrë inspektore në Drejtorinë e Auditimit tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Po në vijim të operacionit u shpallën në kërkim shtetasit  K.G., 45 vjeç dhe I.B., 51 vjeç.

Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme. (E.K/Faxweb.al)

/faxweb