Nga sot, opozita do të nisë protestat, për të vënë në zbatim atë që është paralajmëruar më herët, aksionin për mosbindje civile ndaj qeverisë. Për rreth tri orë, akset kryesore të vendit do të jenë të bllokuara, pasi qytetarët dhe deputetët e opozitës do të jenë duke protestuar ndaj qeverisë dhe rritjes së vazhdueshme të taksave.
Ky vendim u morr pas vendimit të Gjykatës së Kukësit, për të lënë në burg 11 prej të ndaluarve, në protestën e “Rrugës së Kombit”.
Deputetët e opozitës nuk do të paraqesin asnjë kërkesë në rajonet e Policisë për rrugët që do bllokohen, pasi, sipas tyre, janë qytetarët ata që e organizojnë bllokimin e akseve kombëtare dhe deputetët që e mbështesin. Burime nga selia blu bëjnë me dije se protestat e opozitës do të përqendrohen në katër akse kryesore, ku edhe është e përqendruar edhe lëvizja më e madhe e mjeteve.
Kështu nga ora 10:00 deri në orën 13:00, do të bllokohet kryqëzimi i Milotit që lidh Tiranën me Shkodrën dhe njëkohësisht edhe “Rrugën e Kombit” me kryeqytetin. Në të njëjtin orar do të jetë i pakalueshëm për mjetet edhe kryqëzimi i Çermës në Lushnjë, që do të paralizojë lëvizjen në Jug të vendit.
I bllokuar do të jetë edhe kryqëzimi i Bradasheshit në Elbasan dhe kryqëzimi i Vorës në Tiranë. Në çdo protestë do të ketë përfaqësues të opozitës, ndërkohë që pritet që kreu i PD-së, Lulzim Basha, të jetë në protestën që do të organizohet në Vorë.
Përmes një kërkese, deputetët e Partisë Demokratike i kanë kërkuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, të shtyjë seancën plenare në orën 18:00.
AKSET QE BLLOKOHEN
Kryqëzimi i Milotit
Kryqëzimi i Vorës
Kryqëzimi i Bradasheshit
Kryqëzimi i Çermës


