Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë prokuroren Afërdita Ndoi.
Trupa gjykuese e përbërë nga Olsi Komici kryesues, Firdes Shuli relatore dhe Brunilda Bekteshi anëtare, dolën në përfundimin se Ndoi nuk ka probleme me pastërtinë e figurës, pasurinë dhe profesionalizmin.
Prokurorja u përball të mërkurën në seancë dëgjimore me gjetjet e hetimit administrativ të Komisionit dhe pyetje për asetet e krijuara gjatë viteve si subjekt i ligjit të deklarimit të pasurive dhe likuiditet e deklaruara.
Ajo u vlerësua në mënyrë pozitive nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, për sa i përket pastërtisë së figurës, pasi nuk ka lidhje me krimin e organizuar dhe si rrjedhim vlerësohet e përshtatshme për vazhdimin e detyrës në sistemin e drejtësisë.
Ndoi u vlerësua gjithashtu pozitivisht nga Prokuroria e Përgjithshme për sa i përket profesionalizmit, por është përballur me pyetje për një dosje hetimore për veprën penale ‘mjekim të paligjshëm’ pas një denoncimi anonim.
Prokurorja është diplomuar në shkollën e Magjistraturës në vitin 2003. Menjëherë ajo u emërua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe në vitin 2009 ajo u transferua në prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
