Skip to content

Avokati i preket nga Covid, shtyhet gjyqi për Izet Haxhinë, çfarë kërkoi vetë në seancë, a do merret dëshimtar Berisha?

Shtyhet gjyqi i Izet Haxhisë në Gjykatën Penale të Tiranës. Shkak është bërë kërkesa e avokatit Idajet Beqiri, i cili prej pesë ditësh është karantinuar, pas dyshimeve të infektimit me virusin COVID-19 dhe shenjave që ka shfaqur.

Për këtë shkak trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Lazer Sallaku, ka vendosur të shtyj seancën në datën 23 tetor, duke dhënë një afat prej 2 javësh, deri në përfundim të karantinimit. Ndërkohë, ditën e sotme ka qenë i pranishëm në gjykatë vetë Izet Haxhia, i cili i ka kërkuar trupit gjykues edhe një tjetër dëshmitar për të dëshmuar në procesin ndaj tij.

Për shkak të mungesës së avokatit të tij mbrojtës, ai nuk ka preferuar të përmed emrin, ndërsa pritet të shtoj si kërkesë në seancën e radhës. Gjykata e Tiranës ka tashmë një listë prej rreth 30 dëshmitarësh që kërkohen nga të dyja palët, si mbrojtja ashtu edhe organi i akuzës. Listën e kryeson ish-Kryeministri Sali Berisha, ndërsa gjykata akoma nuk është shprehur nëse do të pranoj emrat e dëshmitarëve ose jo.

/faxweb