Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot në nderimin e Luftës së Koplikut, aktiviteti “100 vjet qe u ndal copëtimi” i cili u zhvillua në Malësinë e Madhe.

Në këtë aktivitet, e pranishme ishte edhe kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, e cila para pak ditësh ka dalë nga karantina, për shkak të infektimit nga COVID-19.

Presidenti Meta, shkëmbeu dhe një batutë me kryebashkiaken në momentin që e takoi.
Kreu i shtetit i tha “qenke shumë mirë, si kokrra e mollës”.

Sakaq, në një postim në rrjetet sociale, teksa ka publikuar disa foto, kreu i shtetit thotë se “gjaku i Dëshmorëve dhe Heronjve të Atdheut nuk bëhet ujë”.

Postimi i Presidentit Meta:

I lumtur të jem sot në Malësinë e Madhe, në këtë trevë të shquar të atdhedashurisë, patriotizmit dhe luftërave për liri, për të përkujtuar së bashku me komunitetin e mrekullueshëm 100-vjetorin e Luftës së Koplikut dhe nderuar jetën, veprën dhe heroizmin e 77 Dëshmorëve të cilët derdhën gjakun për mbrojtjen e lirisë së trojeve shqiptare.

Gjaku i Dëshmorëve dhe Heronjve të Atdheut nuk bëhet ujë!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re