Dymbëdhjetë milionë fëmijë janë privuar nga shkolla pas pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), si dhe konfliktit të përhapur, në gjithë rajonin e Sahelit Qendror të Afrikës.
Në një deklaratë, Këshilli Norvegjez për Refugjatët (NRC) tha se fëmijët kanë humbur deri në katër muaj shkollë në gjithë Burkina Fason, Mali dhe Niger për shkak të kufizimeve të COVID-19, ndërsa 776.000 nuk mund të shkonin në shkollë gjatë gjithë vitit për shkak të pasigurisë në rajon .
“Fëmijët janë në mes të një kërcënimi të dyfishtë të shëndetit dhe sigurisë në Sahelin Qendror. Të gjitha 40.000 shkollat në rajon u detyruan të mbyllen për shkak të pandemisë, duke i shtyrë nxënësit nga nivelet parashkollore deri në nivelet e mesme jashtë klasës në një zonë ku qasja në arsim shpesh pengohet nga pasiguria në rritje, zhvendosja e përsëritur dhe varfëria”, citohet të ketë thënë Maureen Magee, drejtoresha rajonale e NRC-së për Afrikën Qendrore dhe Perëndimore.
Magee shtoi se 4.000 shkolla janë mbyllur ose rrafshuar. “Shumë fëmijë, jeta e të cilëve tashmë është shkatërruar nga konflikti, tani shikojnë të ardhmen e tyre të varur nga një fije peri”, theksoi ajo.
“Situata për nxënësit në shkollat e prekura nga konflikti në Burkina Faso, Mali dhe Niger mbetet pezull. Mbi 4.000 shkolla mbetën të mbyllura për 776.000 nxënës vetëm për shkak të pasigurisë gjatë vitit shkollor 2019-2020. Kjo është pothuajse dy herë më shumë se në periudhën 2018 -2019”, tha NRC.
Javën e kaluar, agjencia e OKB-së për refugjatët UNHCR tha se nevojiten përpjekje urgjente për të shmangur “pasojat katastrofike” të një krize humanitare të përkeqësuar me shpejtësi në rajonin e Sahelit Qendror.
Për të diskutuar çështjen, Danimarka, në partneritet me Gjermaninë, BE-në dhe OKB-në, do të organizojë një konferencë ministrore për Sahelin Qendror më 20 tetor në Kopenhagë.
AA
