Intelektualët dhe politikanët nga kombet e Afrikës së Jugut kanë kritikuar Francën për komentet fyese të presidentit Emmanuel Macron ndaj Islamit dhe Profetit Muhammad.

Ligjvënësi nga partia qeverisëse e Kongresit Kombëtar Afrikan (ANC), Muhammad Khalid Sayed, komentet e tilla si të presidentit Macron i quajti “rrëfim racist dhe fanatik”.

“Po ashtu është një mënyrë me të cilën Macron po përpiqet ta largojë vëmendjen nga problemet e tij të brendshme në mesin e popullatës franceze rreth çështjeve të korrupsionit dhe shkurtimit të shpenzimeve shoqërore”, tha Sayed, i cili kryeson degën provinciale të Lidhjes Rinore të ANC-së.

Siç thekson Sayed, “lëvizja drejt Islamit në perëndim është një frikë e madhe tek liderët perëndimor si Macron” dhe ata e përdorin këtë rrëfim për mënyra të lehta politike për të qëndruar në pushtet”.

Macron nxiti zemërim në të gjithë botën muslimane duke akuzuar muslimanët francezë për “separatizëm” dhe e përshkroi fenë Islame si një “fe në krizë”.

Një profesor në Universitetin Botswana, Mohammed Haron, tha se “deklaratat dhe sjellja e këtij presidenti francez duhet të dënohet në termat më të ashpër”, sepse sipas tij përmes komenteve të tij ai ka përjetësuar një formë të krimit të urrejtjes.

Mbi komentet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan se Macron ka nevojë për “trajtim mendor”, profesori universitar tha se, “Dikush pajtohet me Erdoğan-in se Macron duhet të testojë shëndetin mendor. Komentet e presidentit francez ishin islamofobe. Është një krim i artikuluar nën maskën e lirisë së shprehjes”.

“Një shtet sekular dhe demokratik duhet të jetë ombrellë jo vetëm për disa, por për të gjithë”, tha Shafiq Morton, një fotoreporter në Kejptaun.

“Si shumë orientalistë evropianë, edhe Macron mendon se demokracia dhe sekularizmi kanë të bëjnë me të qenit të njëjtë dhe të qenit identik, që në të vërtetë është neofashizëm”, tha Morton.

Komentet e presidentit francez që përshkruan Islamin si “një fe në krizë” u sfiduan nga fotoreporteri, i cili tha se “si mundet që Islami të jetë në krizë kur kishat po mbyllen në Evropë dhe po ndërtohen më shumë xhami se çdo shtëpi tjetër adhurimi”.

“Nuk është Islami ose muslimanët ata që janë në krizë. Janë liderët e tyre politikë, figura të korruptuara me të cilat z.Macron vëllazërohet”, tha Morton. 

Macron dënoi vrasjen e një mësuesi francez i cili shfaqi karikatura të diskutueshme të Profetit Muhammad në orën mësimore të fëmijëve të shkollës fillore. Macron tha se Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat tona”. 

Disa vende arabe, si dhe Turqia, Irani dhe Pakistani dënuan qëndrimin e presidentit francez ndaj muslimanëve dhe Islamit.

Mes thirrjeve për bojkot të produkteve franceze në shumë vende, Erdoğan i kërkoi popullit turk të mos blejnë produkte franceze.

AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re