Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme në Tiranë, më konkretisht rreth orës 23. Mësohet se një 31-vjeçar nga Laçi i identifikuar si Leo Hera është paraqitur në spitalin e ‘Traumës’ pasi ka marrë plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit , dhe dyshimet janë që ai të jetë plagosur në zonën e ‘Don Boskos’.
Në njoftimin paraprak të Policisë së Tiranës thuhet se 31-vjeçari ka kallzuar se në rrugën “Don Bosko”, është plagosur me armë zjarri në këmbë nga një person ende i paidentifikuar. Sipas 31-vjeçarit ai ka qenë duke ecur me këmbë në momentin që është plagosur, dhe nuk e ka parë personin që e ka qëlluar.
Nuk dihen ende arsyet e kësaj ngjarje, ndërkohë që Policia thotë se po sekuestrohet çdo provë e mundshme që mund të çojë në identifikimin e autorit, i cili duket se ka lëvizur i pashqetësuar pas plagosjes që ka kryer.
Njoftimi i plotë i policisë:
Me datë 02.11.2020, rreth orës 23:05, është njoftuar Salla Operative se në spital është paraqitur shtetasi L.H., 31 vjeç, i dëmtuar në këmbë, jashtë rrezikut për jetën.
31-vjeçari ka kallzuar se në rrugën “Don Bosko”, është plagosur me armë zjarri në këmbë nga një person ende i paidentifikuar.
Grupi hetimor vijon punën për sekuestrimin e çdo prove të mundshme që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb
