Skip to content

Terroristi zbrazi karikatorin tek njerëzit në qendër të Vjenës, dëshmitari rrëfen tmerrin: Vepronte si një sulmues profesionist, nuk qëllonte rastësisht

Një prej dëshmitarëve të sulmit terrorist që tmerroi Vjenën mbrëmjen e kaluar ka rrëfyer si ndodhi gjithcka dhe i kaluan të gjitha skenat para syve.

Rabini Schlomo Hofmeister tregon se ishte i tmerrshëm moment kur një person i armatosur lëvizte brenda dhe jashtë bareve dhe pubeve në qendër të Vjenës, duke qëlluar mbi njerëzit që po shijonin natën e fundit të argëtimit para se të hynin në fuqi masat kufizuese për koronavirusin në të gjithë Austrinë.

“Ai po vepronte si një sulmues profesionist, i trajnuar. Ai dukej profesionist, nuk dukej i hutuar dhe nuk po qëllonte rastësisht – ishte shumë i shënjestruar dhe i koordinuar, si një luftëtar”, tha dëshmitari për CNN.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen e njohur si “Trekëndëshi Bermuda”, ndërsa Hofmeister e pa sulmin terrorist nga shtëpia e tij që ndodhet pranë sinagogës ku ai jep udhëzime fetare.

Hofmeister njoftoi menjëherë policinë dhe tha se një person i armatosur po vraponte drejt njerëzve në një lokal, duke qëlluar “dhjetra, ndoshta qindra, me armë zjarri”.

Deri tani, nga sulmi terrorist në Vjenë janë raportuar 4 të vrarë  mbi 15 të tjerë të plagosur, përfshi dhe një polic.(A.M/Faxweb.al)

/faxweb