5 nëntor Muzeu Etnografik Berat, i përshtatur prej vitit 1979 në një banesë karakteristike e tradicionale të qytetit të shekullit XVIII ka një fond të pasur etnografik me rreth 1200 objekte.
Ky muze i përket banesave dykatëshe të tipit me çardak në një krah, ndërtuar kryesisht nga shtresa e familjeve të pasura dhe të zejtarëve.
Në banesë vend të rëndësishëm zënë volumet e hapura të hajatit e çardakut. Muzeu Etnografik është një nga dëshmitë e kulturës dhe traditës së hershme, të pasur dhe interesante të trevës së Beratit.
Në katin përdhes që ka shërbyer për aktivitetin ndihmës të familjes, është improvizuar “Pazari Mesjetar”. Nëpërmjet ekspozimit të objekteve te koleksionit, veshje e zbukurime, paraqitet zhvillimin i artizanatit në qytetin e Beratit vecanërisht të zejeve të qëndistarisë, argjendarisë, punimi i bakrit etj, që dëshmojnë nivelin e zhvillimit, mjeshtërinë e lartë të realizimit si dhe shijet aristokratike të qytetarëve në shek XIX. Në pjesën e hapur janë ekspozuar kompleksi i prodhimit të vajit të ullitrit, çarku i poçarit, kovaçana etj.
Ndërsa kati i sipërm ka shërbyer për banim dhe funksionet e përditshme të familjes. Në mjedisin e hapur, çardaku me qoshkun, janë elementët më të spikatura të banesës që shërbenin si mjedis qëndrimi dhe për kryerjen e disa veprimtarive të stinës.
Ndërsa në mjediset e brëndëshme të banesës, është ekspozuar pjesa tjetër e koleksionit me objekte të përdorimit, të gatimit, të punës etj, duke parqitur mënyrën e jetesës, traditat, zakonet dhe organizimin e familjes qytetare në shek XIX.
Mjedisi më i rëndësishëm i banesës qytetare është “dhoma e miqve” në të cilën kryhej veprimtaria ceremoniale e familjes. Me interes të vecantë janë zbukurimi interierit, kompleksi musëndër – mafil, tavani, dollapet e murit, oxhaku dhe servisi i ushqimit./k.s/j.p/



