Qeveria britanike ka bërë gati një tjetër skemë testimi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe për këtë ka angazhuar edhe ushtarët në Liverpool të Anglisë. Ndonëse ata janë mësuar të drejtojnë automjete të blinduara në luftime për Ushtrinë Britanike, këtë herë duhet të ndihmojnë në luftën kundër koronavirusit.
Rreth 2000 ushtarë mbajnë veshje plastike dhe mburoja fytyre ndërsa janë trajnuar për të kryer teste të reja të shpejta për virusin tek njerëzit duke marrë rezultate në më pak se gjysmë ore. Ky vendim i qeverisë britanike vjen në një kohë kur e gjithë Europa duket se po përballet me një valë të dytë pasi kanë shpërthyer sërish rastet e reja dhe jetët e humbura.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar shpreson të testojë të gjithë popullsinë e Liverpool, pra rreth 500 mijë persona për 10 ditë. Skema vullnetare është e hapur për këdo që jeton dhe punon në qytet, pavarësisht nëse kanë apo jo simptoma. Kjo është thirrja më e madhe e ushtrisë për të ndihmuar në një krizë civile në vitet e fundit.
Ndërsa disa banorë mund të hezitojnë për të bërë testin, qindra njerëz u rreshtuan në pritje kur dyert u hapën për herë të parë të premten në një qendër sportive në Liverpool që tani shërben si një vend ku kryhen testime.
Mbretëria e Bashkuar nuk është e vetmja që përdor ushtrinë për të ndihmuar në lehtësimin e ngarkesës së madhe në sistemet e saj të kujdesit shëndetësor.
Në të gjithë kontinentin, anëtarët e forcave të armatosura prej muajsh kanë marrë role duke filluar nga mbështetja e stafit të spitalit deri në dezinfektimin e vendeve të testimit deri tek transporti i pacientëve.
Në vendet e Europës si Franca, Belgjika, Italia dhe Spanja, forcat e armatosura janë trajnuar për të ndihmuar punonjësit në shtëpitë e të moshuarve.
(A.M/Faxweb.al)
/faxweb