Përderisa izraelitët janë mërzitur që presidenti aktual Donald Trump humbi zgjedhjet presidenciale në SHBA më 3 nëntor, palestinezët mendojnë se Washingtoni bashkë me presidentin e ri nuk do të ketë ndonjë ndryshim serioz në qasjen ndaj Palestinës.
Zgjedhjen presidenciale në SHBA ku garuan presidenti aktual nga radhët e republikanëve Donald Trump dhe kandidatit demokrat Joe Biden ashtu sikurse në të gjithë botën u ndoqën nga afër edhe nga palestinezët dhe izraelitët.
Palestinezët dëshironin humbjen e Trumpit për shkak të politikave të tij pro izraelite, ndërsa sipas sondazheve të opinionit publik më shumë se gjysma e izraelitëve kanë mbështetur Trumpin.
Fitorja e Biden-it sipas rezultateve jozyrtare është pritur me gëzim në administratën palestineze ndërsa qeveria izraelite pavarësisht se nuk e shfaq vërehet se ajo nuk është e kënaqur nga ky rezultat.
Ndërkohë edhe banorët e Izraelit dhe Palestinës kanë mendime të ndryshme lidhur me zgjedhjet presidenciale të SHBA-së. Gazetarët e AA-së kanë pyetur paletinezët dhe izraelitët lidhur me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Rabini, Dr. Asher Wade tha se është i mërzitur dhe i zhgënjyer për shkak se Trump ka humbur zgjedhjet.
Duke shprehur shqetësimet që Biden është presidenti i ri i SHBA-së, Wade tha: “Në rast se zgjidhet Biden kam dëgjuar se ai mendon që të diskutojë për transferimin sërish në Tel Avivit të ambasadës (amerikane në Izrael). Gjithashtu pas të gjitha këtyre do të rifillojë marrëdhëniet me Iranin. Ju e dini Izraelin dhe krizën ekzistenciale të tij. Për shkak të të gjitha këtyre arsyeve tashmë nuk mund të flemë të qetë”.
“Biden nuk do të jetë si Trump”
Edhe shtetasi izraelit, Moshe Mendlowitz tha se zemrat e tyre kanë qenë pro fitores së Trumpit por që kjo nuk u realizua.
Mendlowitz tha se mendon se zgjedhja e Biden-it nuk do të ketë ndonjë ndikim negativ për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Izraelit. “Shpresojmë që Biden të bëjë gjëra të mira pas fitores. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim më shumë në krahasim me periudhën e Trumpit. Për Izraelin, Trump ishte presidenti më i mirë i të gjitha kohërave. E dimë se Biden nuk do të mund të jetë si Trump por shpresojmë se (qeveria izraelite) do të punojë edhe me atë”.
“Iku një fytyrë erdhi një tjetër”
Palestinezi Zaher Sharabati tha se fitorja e Biden-it në vend të Trumpit nuk tregon ndonjë kuptim për ta.
Duke vënë në dukje se me fitoren e Biden-it ka ndryshuar vetë fytyra në qeveri dhe se politikat e SHBA-së do të vahdojnë, Sharabati tha se:
“Sikur presidentët e SHBA-së të bënin ndonjë gjë të mirë për ne, këtë do ta bënin Bush i vjetër, Bush i ri dhe të tjerët. Çdo president amerikan rrit edhe më shumë tensionet mes popullit palestinez, botës islame. Ja edhe Trump iku. Ky tjetri që vjen mos do të na ndihmojë? Jo kurrë. Kjo është vetëm një ndryshim fytyre, asgjë tjetër”.
“Politika e SHBA-së është e njëjta. Nuk ndryshon asgjë. Të gjithë janë kundër Palestinës, kundër muslimanëve. Ne ndihmë presim vetëm nga Allahu dhe që ai të na dërgojë neve një komandant si Selahaddini. Ndërsa përsa i përket Trumpit dhe të tjerëve, populli pabesimtar janë një popull i vetëm”, tha Sharabati.
“Edhe vetë Biden ka bërë shumë gjëra kundër palestinezëve”
Ndërsa palestinezja, Erva el-Hilu tha se Palestina dhe populli palestinez janë dëmtuar shumë nga politikat e Trumpit dhe se është e lumtur që ka humbur zgjedhjet.
Ajo mendon se nuk do të ketë ndonjë ndryshim në politikat e SHBA-së për Palestinën pas Biden-it i cili do të vijë edhe sikur Trump që iku.
“Nuk mendoj se Biden do të bëjë ndonjë ndryshim në favor të Palestinës. Sepse SHBA asnjëherë nuk ka qëndruar përkrah Palestinës dhe arabëve. Madje, edhe vetë Biden ka bërë shumë gjëra kundër palestinezëve. Me thënë të drejtën nuk jemi shumë optimistë. Ne e dimë se ai është bashkë me Izraelin, me sionistët. Mendojmë se është më pak i dëmshëm nga Trump”, tha El-Hilu.
AA
