Skip to content

Çavuşoğlu: Tokat, nën okupim për 30 vjet po çlirohen

Duke përgëzuar Azerbajxhanin për çlirimin e territoreve të tij të okupuara, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu sot e quajti marrëveshjen e Karabakut një “fitore të madhe” për Bakun.

“Do të vazhdojmë të qëndrojmë me Azerbajxhanin. Kjo marrëveshje është një sukses dhe fitore e madhe për Azerbajxhanin. Tokat, nën okupim për 30 vjet po çlirohen”, tha Çavuşoğlu në një konferencë për media në kryeqytetin Ankara.

Ai tha se Turqia është në kontakt me palët në monitorimin e marrëveshjes për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes mbi Malësinë e Karabakut.

Presidenti rus, Vladimir Putin më herët njoftoi se Azerbajxhani dhe Armenia nënshkruan marrëveshje për të krijuar kushtet e nevojshme për një zgjidhje afatgjate dhe gjithëpërfshirëse të konfliktit të gjatë për Malësinë e Karabakut.

Njoftimi ndezi skena festimesh entuziaste në shumë qytete të Azerbajxhanit, me mijëra që mbanin flamuj të Azerbajxhanit dhe Turqisë, duke kënduar himne kombëtare dhe kërcyer në rrugë.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike mbi Malësinë e Karabakut kanë mbetur të tensionuara që nga viti 1991, por përplasje të reja shpërthyen më 27 shtator.

Që atëherë, Armenia ka sulmuar vazhdimisht civilët dhe forcat azerbajxhanase, madje duke shkelur tre marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Duke folur për FETO-n, grupi që qëndron pas grusht shtetit të mposhtur të vitit 2016 në Turqi, Çavuşoğlu tha se zyrtarët e SHBA-ve kanë filluar më në fund të kuptojnë kërcënimin që ata paraqesin.

Ai tha se pjesëtarët e FETO-s ishin të parët që morën pjesë në dhunën paszgjedhore në Kirgistan.

FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA, Fetullah Gülen orkestruan grushtin e shtetit të mposhtur më 15 korrik të vitit 2016 i cili la 251 njerëz të martirizuar dhe gati 2.200 të plagosur.

Turqia akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucione turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

AA