Ka vetëm pak minuta që ka hyrë në fuqi ora policore për izolimin e dytë nga koronavirusi, ndërsa nga vëzhgimi i Fax News në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë vijon lëvizja e qytetarëve, qoftë me këmbë apo makina.
Ndërkohë bizneset, më konkretisht baret e restorantet që janë konsideruar si burim infeksioni, kanë ulur qepenat duke respektuar orarin e ri të ushtrimit të aktivitetit, nga 22:00 deri në 06:00 për të paktën tre javët e ardhshme. Forca të shumta policore shihen në akse rrugore që po ushtrojnë kontrolle për të parë si po zbatohen masat.
Njëri prej këmbësorëve foli për kamerën e Fax News duke thënë se kishte disa minuta që priste transportin publik, i cili nuk erdhi kurrë dhe është i detyruar që të vazhdojë rrugën me këmbë. Nuk munguan ‘kritikat’ për mënyrën si po menaxhohet situata.
“Pandemia nuk parandalohet në këtë formë, shpresojmë që të gjejmë ndonjë mënyrë. Por në Shqipëri nuk ma merr mendja”, tha ai.
(A.M/Faxweb.al)
/faxweb
