Marrëveshja u firmos nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, të cilët mbajtën edhe një deklaratë të përbashkët për mediat.
Ministrja Manastirliu tha se Qeveria e Shqipërisë është e angazhuar në përputhje me rekomandimet e OBSH-së për përballimin e situatës së pandemisë me resurse të shtuara në drejtim të kapaciteteve të gjurmimit, testimit, hetimit epidemiologjik dhe kapaciteteve trajtuese e spitalore.
Ajo theksoi se marrëveshje me OBSH-në do të sigurojë asistencë teknike për Shqipërinë për përballimin e emergjencave shëndetësore dhe për të rritur kapacitetet e vendit për të parandaluar dhe kontrolluar epidemitë.
Ndërsa zyrtari i OBSH-së tërhoqi vëmendjen se Evropa edhe një herë është epiqendra e pandemisë globale.
“Është shumë e rëndësishme që të gjithë ne të kuptojmë se COVID-19 është një problem i vërtetë, nuk është një grip i zakonshëm. Mbulimi universal me shërbime shëndetësore është prioritet. Ne duhet të jemi të bashkuar në këtë përpjekje dhe në solidaritet, i cili është arma jonë më e fuqishme në këtë luftë”, u shpreh Kluge.
Ai theksoi se i vlerësojnë përpjekjet e Shqipërisë për të rritur testimin dhe kapacitetet gjurmuese.
“Nënshkrimi marrëveshjes dyvjeçare është një hap tjetër pozitiv në punën tonë të përbashkët për mirëqenien dhe shëndetin. COVID-19 na kujtoi se kemi nevojë për sisteme shëndetësore të forta, për një kohezion të fortë social dhe për siguri të fortë. Në fazën e parë Shqipëria ia ka dalë shumë mirë për shkak të reagimit drastik dhe të menjëhershëm”, vijoi Kluge.
Drejtori i OBSH për Evropën ndodhet në Shqipëri për një vizitë dyditore me ftesë të ministres Manastirliu, ndërkohë ai do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të vendit.
Kujtojmë se në Shqipëri vazhdon rritja e numrit të vdekjeve dhe rasteve të reja me COVID-19. Që nga fillimi i pandemisë në vend janë regjistruar gjithsej 25.801 raste pozitive, ndërkohë që 590 veta kanë ndërruar jetë.
Në vend gjithashtu vazhdon zbatimi i disa masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, siç janë kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe ndalimi i aktiviteteve të bareve e restoranteve nga ora 22:00 deri në ora 06:00 në gjithë vendin, mësimi online në universitete dhe ndalimi i grumbullimeve masive.
Kurse në Kosovë autoritetet shëndetësore kanë regjistruar shifra rekord të personave të infektuar me kororonavirus gjatë 24 orëve të fundit.
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), në vend janë regjistruar 767 raste të reja duke e çuar në 26.888 numrin e përgjithshëm të të infektuarve me këtë virus.
Vendi po ashtu ka regjistruar 8 viktima të reja nga pandemia, me çka numri i përgjithshëm i vdekjeve nga virusi në vend ka shkuar në 784.
COVID-19 ka shkaktuar të paktën 1.293.750 të vdekur dhe mbi 52.746.922 të infektuar në të gjithë botën që nga shfaqja e tij në dhjetor të vitit 2019, ndërkohë që më shumë se 36.838.943 pacientë janë shëruar.
