Nëntë muaj pas krimit makabër në Paskuqan, Gjykata e Tiranës vendosi të dënojë me burgim të përjetshëm të akuzuarin si autor të ngjarjes, Erdet Çapokun.

Ai u shpall fajtor për akuzën e “vrasjes për shkak të rrethanave familjare”.

Referuar vendimit gjyqësor të siguruar nga A2, rezulton se e ndjera Enkeleda Çapoku jetonte me vajzën e mitur, teksa bashkëshorti i saj, vëllai i Erdet Çapokut, ishte në burg. Ajo kishte marrë një urdhër-mbrojtjeje pasi prej disa kohësh kunati e gjurmonte, i bënte foto e video dhe e kërcënonte.

Për shkak të frikës, gjatë natës e ndjera mbante në banesë nënën e saj, që u sulmua gjatë ngjarjes. Në gjykim, i pandehuri Çapoku ka pranuar krimin dhe shfaqur pendesë. Ai ka pohuar se e kishte marrë inat kunatën në momentin që e kishte kallëzuar në polici.

“Unë kisha investuar tërë lekët e mia për të rritur mbesën e të ushqehej Enkeleda. Sa herë që ajo më kërkonte lekë, unë ia jepja dhe shkoja mirë me të, por pasi ajo u betua se do më fuste në burg, edhe unë u betova që ta vrisja sepse më kishte marrë tërë lekët e punës sime. Nuk kisha asnjë faj”, tha Çapoku.

Çapoku u gjykua në një proces të zakonshëm, çka do të thotë që ai nuk përfiton ulje të dënimit të përjetshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re