Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë shprehu “shqetësim të thellë” në lidhje me fillimin e procedurës së tenderit për ndërtimin e 1.257 njësive të reja për vendbanimin ilegal hebre Givat Hamatos në Kudsin Lindor të pushtuar.
“Italia është thellësisht e shqetësuar për fillimin e procedurës së tenderit për ndërtimin e 1.257 njësive të banimit në Givat Hamatos dhe kërkon që autoritetet izraelite të revokojnë këtë vendim”, tha ministria në një deklaratë me shkrim.
Në deklaratë theksohet se nëse banesat në fjalë do të ndërtohen, kjo do të dobësonte në mënyrë serioze mundësinë e një Shteti të pavarur Palestinez.
“Në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe qëndrimin evropian, Italia i konsideron si ilegale vendbanimet kolone që përbëjnë pengesë serioze për një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe të negociuar drejtpërdrejt midis dy palëve”, thuhet më tej.
“Italia, me partnerët e saj evropianë, përsërit thirrjen e saj që Izraeli të ndalojë të gjitha aktivitetet e vendbanimeve kolone dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. E gjithë kjo do të dobësonte më tej mjedisin e besimit, i cili tashmë është rrezikuar, të nevojshëm për rinisjen e një procesi të mundshëm të paqes”, tha Ministria e Jashtme italiane.
Ndryshe, më 15 nëntor, Autoriteti izraelit i Planifikimit dhe Tokës hapi një tender për ndërtimin e 1.257 njësive të banimit në vendbanimin ilegal hebre Givat Hamatos në Kudsin Lindor të pushtuar.
