Ish-deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, përmes një intervistë të dhënë në emisionin “Pasdite me Xhaxhiun” në FaxNews, ka folur rreth situatës së pandemisë në vend dhe keqmenaxhimit nga ana e qeverisë.
Vokshi u ndal në një pikë të rëndësishme të debatit publik, atë mbi repektimin e protokollit shëndetësor në shkolla. Sipas Vokshit 80-90% e shkollave nuk plotësojnë kushtet higjeno-sanitare, si dhe në shumë prej tyre ka mungesë të maskave dhe dezinfektantëve.
Ish-deputetja theksoi se qeveria duhet të mbyllë ato shkolla që nuk plotësojnë kushtet e nevojshme të higjenës, ose të mund të sigurojë ambiente të tjera të përshtatshme për zhvillimin e mësimit.
“Ne i kemi kërkuar qeverisë disa javë para hapjes së shkollave, që të respektojë protokollin e sigurisë në shkolla. Të sigurojë kushtet higjeno-sanitare në shkolla. Nuk ka ujë në 80-90% të shkollave, dhe në Tiranë jo më në zonat rurale që s’bëhet fjalë.
Nuk ka maska për mësuesit dhe për nxënësit. A e dinë ju se nxënësit e familjeve në çadra, apo nxënësit e familjeve në nevojë nuk kanë bukë të hanë e jo më të sigurojnë maska dhe dezinfektant. Si mund të sigurohet udhëzuesi i Ministrisë së Arsimit kur nuk ka ujë të rjedhshëm në shkolla.
Të mos mbahen hapur ato shkolla që nuk respektojnë kushtet higjeno-sanitare. Qeveria e ka detyrim të zbatojë aktet nën-ligjore të saj. E ka për detyrim të sigurojë ambiente të tjera të cilat plotësojnë kushtet”, tha Vokshi.
/faxweb
