Presidenti Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” boksierin dhe trajnerin e shquar të KS Tiranës dhe Ekipit tonë Kombëtar, Skënder Kurti (pas vdekjes).
Kreu i Shtetit e vlerësoi “Mjeshtrin e Madh” të boksit shqiptar, me motivacionin: “Për kontributin e çmuar në arritjen e rezultateve të larta në sportin e boksit dhe trajner i shquar i Klubit Sportiv ‘Tirana’ dhe Ekipit Kombëtar. Një personalitet i dashur, i respektuar, një shembull frymëzimi dhe suksesi për të gjithë brezat e rinj”.
Presidenti Meta theksoi se Kurti ishte shembull frymëzimi dhe suksesi për të gjithë sportistët e trajnerët e rinj. Kujtojmë se trajneri ndërroi jetë nga koronavirusi në muajin prill të këtij viti.
“Është kënaqësi e veçantë të nderojmë të paharruarin Skënder Kurti, sportistin dhe trajnerin universal e të suksesshëm të sporteve burrërore e luftarake, të mundjes dhe boksit shqiptar. Skënderi e fillon karrierën e tij sportive me fitimin e 2 titujve kampionë me të rinjtë në sportin e mundjes, duke paralajmëruar se kësaj disipline sportive, po i vinte një sportist kampion, ambicioz dhe i suksesshëm. Por, me rikthimin e boksit në Shqipëri, Ai bëhet një promotor i suksesshëm në zhvillimin e këtij sporti, duke ngritur ekipin e boksit të Gardës së Republikës, me emrin “Shqiponja”, që shumë shpejt u afirmua në arenën kombëtare dhe rivalizoi për vite me radhë krahas Vllaznisë, Partizanit, Tiranës dhe mjaft ekipeve të njohura.
Ai kthehu traditën e bukur të këtij sporti, plot adrenalinë dhe emocione, duke themeluar ekipin e boksit në klubin “Tirana” me boksierë të talentuar dhe kampion. Për vite me radhë, ai përgatiti nga duart e tij boksierë të nivelit më të lartë dhe kampionë, duke fituar 2 tituj kampionë dhe 10 Kupa Republike.
Njëkohësisht, Neri ka qenë një trajner i suksesshëm në stafin e Ekipit Kombëtar. Komuniteti i boksit e adhuronte Nerin, jo vetëm për cilësitë e tij njerëzore, për përgatitjen dhe mentalitetin triumfues, por edhe për fisnikërinë dhe qytetarinë. Ai ka qenë pa diskutim një personalitet i boksit shqiptar, shumë i njohur dhe i vlerësuar edhe në arenën ndërkombëtare.
Karriera e tij sportive u ndërpre për fat të keq nga pandemia COVID-19, që e ndau atë nga familja, nga boksi, nga sporti, nga shokët dhe miqtë e tij, që aq shumë i donte dhe i respektonte, dhe që aq shumë e duan edhe ata sot. Shembulli dhe sukseset i tij janë një burim frymëzimi për të gjithë sportistët e trajnerët e rinj. Përfitoj nga rasti, për të përshëndetur familjen e nderuar të Skënder Kurtit, trashëgimtarin e tij Renaton, që tashmë ka marrë stafetën si trajner boksi, duke ndjekur gjurmët e babait të tij të dashur. Renato, miqtë dhe kolegët e tij, duhet të jenë krenarë, për atë që Neri ka bërë për boksin Shqiptar, për sukseset e tij dinjitoze në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.
Titulli “Mjeshtër i Madh” që i akordohet sot njërit prej figurave më të shquara të boksit tonë dhe pse pas largimit të papritur nga jeta, është një vlerësim jo vetëm i punës dhe sakrificave, por dhe rezultateve, respektit dhe thjeshtësisë, që e karakterizonte. Edhe pas ndarjes nga jeta, ne do ta kujtojmë gjithmonë Skënder Kurtin, me respektin më të madh që ai e ka merituar si një trajneri i madh, që përgatiti boksierë dinjitozë dhe si një njeri i mrekullueshëm.
Lë të mbetet e paharruar vepra e tij! Ju uroj përzemërsisht të gjithëve, suksese dhe shëndet në familjet tuaja, Renatos dhe të gjithë çunave sa më shumë suksese në të ardhmen.”, tha Meta.