Skip to content

Ministrja gjermane e mbrojtjes: Trupat gjermane kontrolluan anijen me urdhër të BE-së”

Gjermania sot ka mbrojtur operacionin e “paautorizuar” të kontrollimit në anijen tregtare turke në brigjet e Libisë që shkaktoi dënime të forta nga Ankaraja.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, tha se gjatë kontrollit të anijes së lidhur me Libinë të dielën, marina gjermane veproi në përputhje me mandatin e misionit të BE-së për të zbatuar embargon e armëve në Libi. 

“Ushtarët gjermanë u sollën plotësisht korrekt, ata bënë atë që kërkohej prej tyre me mandatin e operacionit ‘Irini’ të BE”, tha ajo.

Turqia të hënën dënoi fuqishëm operacionin, duke theksuar se ishte një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar, pasi Ankaraja nuk dha leje për kontrollimin e anijes me flamurin turk, e cila ishte në ujërat ndërkombëtare.

Një video nga incidenti tregon ushtarë të armatosur rëndë gjermanë që hipnin në anijen Roseline-A nga një helikopter dhe arrestuan disa nga anëtarët e ekuipazhit me duart e tyre të lidhura pas shpine.

Misioni i operacionit “Irini”, i cili aktualisht është nën komandën e një oficeri detar grek, konfirmoi të hënën se gjatë kontrollit të anijes nuk gjetën “asnjë provë të materialit të paligjshëm”.