Policia e Lezhës ka mundur që të vërë në pranga autorin e plagosjes së Hilë Gjinit, ngjarje kjo e ndodhur mëngjesin e sotëm në Balldren të Lezhës. Policia ka vënë në pranga 69-vjeçarin me inicialet GJ.Gj, i cili e plagosi Gjinin me pushkë, teksa ky i fundit ishte duke çuar fëmijët e tij për në shkollë.
Konflikti mes të dyve dyshohet se ka ndodhur për çështje pronësie, ndërkohë që i plagosuri është jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i plotë i Policisë: Policia e Lezhës zbardhi dhe dokumentoi në kohë rekord ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi H. Gj.
Kapet pas dy orë ndjekjeje nga shërbimet e Policisë së Lezhës, autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të 43-vjeçarit.
Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe armën e zjarrit tip “Pushkë”, me të cilën autori kreu plagosjen.
Policia e Lezhës, menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur në fshatin Balldre, Lezhë, organizoi punën dhe falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta e profesionale bëri të mundur që pas dy orë ndjekjeje dhe kërkimesh, falë edhe mbështetjes së qytetarëve, të kapë në rrethinat e fshatit Balldre dhe të vërë në pranga shtetasin Gj. Gj., 69 vjeç, banues në Balldre.
Ky shtetas dyshohet se për motive pronësie ka plagosur në këmbë, me armë zjarri, shtetasin H. Gj., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Strukturat hetimore të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, po vijojnë punën për dokumentimin e plotë te kësaj ngjarjeje
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb
