“Dhuna ndaj grave” është tema që po diskutohet mbrëmjen e sotme në emisionin “Pushteti” nga Juela Meçani në ekranin e Fax News. Të ftuara në studio janë Anisa Ruseti, zëvendës kryetarja e Bashkisë Tiranë; Edlira Çepa, aktiviste e shoqërisë civile dhe në një lidhje me skype flet edhe politikania e njohur nga Kosova, Alma Lame.
Sipas Rusetit, numri i personave që kanë përjetuar dhunë është rritur gjatë pandemisë për shkak të presionit psikologjik që shkakton izolimi si dhe kontakti më i shpeshtë mes viktimave dhe dhunuesve.
“Ka pasur një rritje, kryesisht për faktin se gjatë pandemisë ka pasur dhe lockdown. Numri i atyre që kanë përjetuar dhunë apo fëmijëve, të cilët edhe nëse nuk e kanë përjetuar vetë , e kanë parë tek nëna e tyre. Ka pasur dhe një rritje shumë të madhe. Ka ndodhur dhe për shkak të një efekti psiko-social, kështu që numrat janë rritur dhe këtë e shohim tek linja jonë kombëtare për referimin e dhunës ku ka pasur një numër të madh të zonjave që në mos kanë marrë për të raportuar dhunë, kanë marrë qoftë për të testuar cfarë do ndodhte për këtë shërbim”, tha Anisa Ruseti.
Ndërsa Edlira Cepa foli për problematikën që ekziston në pushtetin vendor ku disa Bashki përdorin një person për të bërë dy punë, një prej të cilave është shërbimi për gratë apo vajzat e dhunuara. Pra koordinatori vendor për dhunën bën dy punë dhe merr vetëm një pagë.
“Pushteti vendor është një nga hallkat më të rëndësishme për mekanizmin e dhunës. Është një nga gjërat më të mira që kemi bërë në Shqipëri dhe po mundohet të përmirësohet. Ende nuk po funksionon siç duhet. Ka një problematikë dhe një gjë tek e cila mund përmirësohemi dhe ka të bëjë me buxhetimin gjinor. Në Bashki të ndryshme kemi bërë studime për përgjigjen dhe kushtet e Bashkive ndaj grave dhe vajzave të dhunuara dhe të gjitha llojet e shërbimeve dhe ka një problematikë pasi ka Bashki në të cilat koordinatori vendor për dhunën nuk ka një pagë full time vetëm për atë pozicion. Është një nga rekomandimet që bashkitë e kanë kërkuar në mënyrë konstante. Pra një person që bën një punë tjetër, bën dhe këtë punë”, tha Çepa.
Diplomatia Alma Lame ngriti problematikën edhe për ndihmën që i jepet grave duke thënë se nuk duhet të lihet në duart e organizatave.
“Për hir të ruajtjes së familjes, viktimat bien para presionit të tërheqin denoncimet e tyre dhe dhunuesi e përsërit atë situatë, kështu që nuk ndryshon asgjë. Dhuna gjinore nuk është se njihet në Kodin Penal dhe këtu mbetet për tu bërë punë në të ardhmen. Ndihma ndaj grave duhet të jetë institucionale, jo të lihet në duart e organizatave”, tha Lame. (A.M/Faxweb.al)
/faxweb
